Në frymën e solidaritetit dhe përkushtimit ndaj personave me aftësi të kufizuara, është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi ndërmjet Alma Mater Europaea - Campus Poliklinika “Rezonanca” dhe Shoqatës së Personave me Paralizë të Fëmijëve “Handicap Kosova”

Ky memorandum synon të lehtësojë qasjen në shërbimet shëndetësore për anëtarët e Shoqatës, përmes një zbritjeje prej 50% në të gjitha shërbimet mjekësore që ofrohen në Poliklinikën “Rezonanca”.


Kjo marrëveshje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përfshirjes dhe kujdesit të shtuar ndaj një prej kategorive më të ndjeshme të shoqërisë sonë.

Në emër të “Rezonanca”-s, memorandumi u nënshkrua nga znj. Atije Idrizaj, Drejtoreshë e Alma Mater Europaea - Campus Poliklinika “Rezonanca”, ndërsa Shoqatën e përfaqësoi z. Jakup Vitia, Drejtor Ekzekutiv i "Handicap Kosova", që prej vitesh angazhohet në mbrojtjen dhe përkrahjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë.

Me këtë hap, Poliklinika “Rezonanca” jo vetëm që ul barrierat financiare për familjet, por përcjell edhe një mesazh të fuqishëm për gjithë shoqërinë: kujdesi shëndetësor duhet të jetë i qasshëm për të gjithë, pa përjashtim, transmeton Telegrafi.

Ky bashkëpunim është një shembull konkret dhe domethënës i angazhimit për një shoqëri më të drejtë, më të barabartë dhe më humane. Sepse ky komunitet, shpesh i lënë në harresë, nuk kërkon mëshirë, por dinjitet; jo lëmoshë, por mundësi për jetesë me dinjitet dhe përfshirje të plotë shoqërore.

Fëmijët me paralizë përballen çdo ditë me sfida - jo vetëm për të lëvizur, për të folur apo për të marrë shërbime bazike, por edhe për të qenë të pranuar, për të mos u paragjykuar dhe për të mos mbetur në hije. Ata kanë nevojë për më shumë se terapi - kanë nevojë për kujdes, për dashuri, për përkrahje emocionale dhe për një dorë njerëzore që i sheh jo si të ndryshëm, por si pasuri të çmuar të shoqërisë.

Z. Vitia falënderoi “Rezonanca”-n për gatishmërinë e treguar dhe e vlerësoi këtë partneritet si një shembull se si edhe sektori shëndetësor privat mund të kontribuojë ndjeshëm në përmirësimin e jetës së fëmijëve me nevoja të veçanta.

Memorandumi do të mbetet në fuqi për një afat të pacaktuar dhe përfshin mundësi të mëtejshme për bashkëpunim në të ardhmen.

Ky është një akt domethënës, një hap konkret drejt një të ardhmeje më të drejtë, më të barabartë dhe më njerëzore për të gjithë. /Telegrafi/