Një lojtar i kombëtares egjiptiane, i cili më parë ka luajtur përkrah Mohamed Salahut dhe ka pasur edhe një periudhë në Ligën Premier, është dënuar me një vit burg.

Raporte të ndryshme nga Egjipti kanë bërë të ditur se sulmuesi i Pyramids FC, Ramadan Sobhi, është dënuar me një vit burg, përfshirë punë të detyruar, për shkak të një çështjeje mashtrimi në provime, në të cilën ai dhe tre persona të tjerë janë akuzuar.


Sipas Egypt Independent, Gjykata Penale e Gizës e shpalli dënimin të martën (30 dhjetor), pasi i pandehuri u përball me akuza për lehtësimin e personifikimit në një institut privat, duke lejuar persona të tjerë të jepnin provime në vend të studentëve, në këmbim të përfitimeve financiare.

Personi që kishte dhënë provimet në vend të të pandehurit tjetër mori të njëjtin dënim.

Sobhi u arrestua në korrik, pasi u kthye nga Turqia, ku ishte duke u stërvitur, pas akuzave për falsifikim dokumentesh lidhur me provime në turizëm dhe hoteleri në një kolegj në Giza.

Dy të pandehur, përfshirë Sobhin, u dënuan me nga një vit burg dhe punë të detyruar, ndërsa një tjetër i pandehur, i cili sipas Sportstar është në arrati, u dënua me 10 vjet burg, por nuk ishte i pranishëm në gjykatë. Një roje sigurie u shpall i pafajshëm.

Sobhi përballet gjithashtu me një pezullim katërvjeçar pasi Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) konfirmoi shkelje të rregullave antidoping në nëntor 2025, me testin e kryer në mars 2024.

Sulmuesi 28-vjeçar ka zhvilluar 37 ndeshje me kombëtaren e Egjiptit dhe ka përfaqësuar dy klube të atëhershme të Ligës Premier, duke luajtur 46 ndeshje për Stoke City dhe më pas katër ndeshje për Huddersfield Town./Telegrafi/

telegrafi sport app