Basha takon Sindikatën dhe Bordin e RTK-së për gjendjen financiare

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, priti sot në takime të ndara Kryesinë e Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së dhe më pas anëtarët aktualë të Bordit të Transmetuesit Publik.
Gjatë këtyre takimeve u diskutua gjerësisht për gjendjen financiare të RTK-së, sfidat me të cilat po përballen punëtorët dhe pasojat që po shkakton vonesa e ekzekutimeve buxhetore për Transmetuesin Publik.
Basha shprehu mbështetjen e plotë për përfaqësuesit e punëtorëve dhe anëtarët e Bordit.
Ai theksoi rëndësinë e ndërhyrjes së menjëhershme për të garantuar funksionimin e RTK-së.
“Marrë parasysh gjendjen e jashtëzakonshme që gjendet RTK-ja dhe faktin që ne si Kuvend jemi themelues i RTK-së, është e domosdoshme që me urgjencë të vazhdojmë me formimin e trupave punuese të Kuvendit, në mënyrë që RTK-së t’i mundësohet operimi financiar për misionin e saj në shërbim të pandërprerë ndaj publikut,” deklaroi Basha.


















































