Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Dimal Basha ka njoftuar se Qeveria Kurti po vazhdon investimet në Komunën e Prishtinës, duke theksuar se projektet infrastrukturore po realizohen në të gjitha komunat e Kosovës, pa dallime politike.

Basha ka bërë të ditur se rruga “Bajram Bahtiri” është projekt me vlerë prej 2.9 milionë eurosh, nga të cilat 1.4 milionë euro financohen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit.


Sipas tij, gjatë punimeve në terren, ekipet e ministrisë kanë vërejtur se në tabelën informuese të projektit ishte paraqitur vetëm Komuna e Prishtinës si investitore. Pas vërejtjes së ministrisë, tabela është korrigjuar dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit është përfshirë si bashkëfinancuese e projektit.

“Investimet tona shtrihen në të gjitha komunat e Kosovës dhe, në çdo projekt të bashkëfinancuar, duhet të paraqiten saktë të gjitha institucionet që kontribuojnë financiarisht”, ka shkruar Basha.

Ai ka thënë se raste të tilla nuk duhet të përsëriten, duke theksuar se investimet publike nuk duhet të ndahen sipas subjekteve politike, por të realizohen në shërbim të qytetarëve.

Basha ka përmendur edhe tri marrëveshje të nënshkruara ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit dhe Komunës së Prishtinës, me vlerë të përgjithshme prej 9 milionë eurosh.

Projektet janë: Ndërlidhja e rrugës Kolovicë–Sofali, Vazhdimi i rrugës “Bajram Bahtiri” me katër korsi, Kyçja në rrethin e Lakrishtës.

Sipas ministrit, nga vlera totale prej 9 milionë eurosh, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit financon 4.3 milionë euro, apo rreth 47 për qind të investimit.

“Kjo dëshmon se Qeveria Kurti investon në kryeqytet me të njëjtin përkushtim si në çdo komunë tjetër të Kosovës”, ka theksuar Basha. /Telegrafi/