Basha: Punimet në rrugën Kijevë–Zahaq po vazhdojnë, bajpasi te Ura e Dollcit pritet të lirohet brenda shtatë ditësh


Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka bërë të ditur se punimet në segmentin rrugor Kijevë–Zahaq po vazhdojnë, ndërsa një nga pikat që aktualisht po shkakton vonesa në qarkullim pritet të lirohet brenda shtatë ditësh.
Përmes një postimi në Facebook, Basha njoftoi se ka inspektuar nga afër ecurinë e punimeve, duke pranuar se ndërhyrjet në këtë segment kanë shkaktuar pengesa të përkohshme për qytetarët, bizneset dhe pjesëmarrësit në trafik.
“Dje inspektova nga afër ecurinë e punimeve në rrugën Kijevë–Zahaq. Punimet e mëdha që po zhvillohen në këtë segment, sigurisht se po shkaktojnë edhe pengesa dhe vonesa të përkohshme për ngasësit, banorët dhe bizneset e kësaj zone”, ka shkruar Basha.
Ai ka sqaruar se një nga pikat kryesore që po ndikon në qarkullim është bajpasi te Ura e Dollcit, i krijuar për shkak të punimeve të minimit në atë pjesë të rrugës.
“Një nga pikat që aktualisht po shkakton vonesa në trafik është bajpasi te Ura e Dollcit, i krijuar për shkak të minimit të asaj pjese të rrugës. Në terren diskutova me inxhinierët e operatorit ekonomik dhe, sipas tyre, kjo nyje pritet të pastrohet brenda shtatë ditësh, duke mundësuar rikthimin e qarkullimit në rrugën ekzistuese”, është shprehur ai.
Sipas ministrit në detyrë, gjatë vizitës janë diskutuar edhe sfidat teknike që po shoqërojnë realizimin e projektit, ndërsa është kërkuar rritja e dinamikës së punimeve.
“Ky segment rrugor do të ketë rritje të intensitetit dhe një dinamikë edhe më të mirë të punimeve”, ka theksuar Basha.
Në fund, ai u ka kërkuar ndjesë qytetarëve për vonesat e krijuara në trafik, duke siguruar se institucionet dhe operatorët janë duke punuar për t'i adresuar problemet sa më shpejt.
“Kërkoj ndjesë nga qytetarët për pengesat dhe vonesat në trafik, por dua t’ju siguroj se jemi vazhdimisht në terren dhe po bashkëpunojmë me të gjithë akterët e përfshirë, në mënyrë që problemet të adresohen me kohë dhe kjo rrugë e rëndësishme të jetësohet sa më shpejt që është e mundur”, ka deklaruar Basha. /Telegrafi/




































