Barnat psikiatrike kanë nevojë për inovacion

Nga: Miranda Wolpert, Wellcome Trust / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com
Barnat psikiatrike janë të diskutueshme. Ndërsa shumica pranojnë se problemet e shëndetit mendor shkaktohen nga një ndërlikim faktorësh psikologjikë, socialë dhe biologjikë, debatet mbi zgjidhjet janë të polarizuara: mes atyre që mbrojnë adresimin e faktorëve mjedisorë dhe atyre që përqendrohen më shumë te medikamentet.
Kjo pikë përplasjeje është një nga arsyet se pse, për shumë vite me radhë, përparimi në zhvillimin farmaceutik psikiatrik ka qenë pothuajse në vendnumërim. Barnat veprojnë duke ndikuar mbi një “objektiv” - zakonisht një proteinë ose një receptor - për të prodhuar një efekt terapeutik. Inovacioni në zhvillimin e barnave zakonisht nxitet nga zbulimi i objektivave të rinj. Megjithatë, shumica dërrmuese e barnave për shëndetin mendor, që përshkruhen sot, synojnë të njëjtët objektiva si prototipat e para vitit ’60 të shekullit XX. Shumica e tyre janë zbuluar rastësisht; dimë çuditërisht pak për mekanizmat e tyre të brendshëm.
Këto trajtime janë larg së qenit të përsosura. Gjysma e të rriturve me depresion, nuk përmirësohen nga antidepresivët apo antipsikotikët. Disa përjetojnë efekte negative anësore ose vështirësi në ndërprerjen e barnave; përdorimi i tyre te fëmijët dhe të rinjtë është çështje që vazhdon të debatohet gjerësisht.
Atëherë, pse është kaq e vështirë të zhvillohen barnat e reja që funksionojnë?
Një sfidë është kompleksiteti i trurit. Një tjetër është mungesa e modeleve të mira shtazore - një hap i rëndësishëm fillestar për shumicën e fushave të mjekësisë - sepse studimi i përvojave subjektive, si depresioni apo delirët te një mi, përbëjnë vështirësi të dukshme.
Pastaj është çështja se si kategorizohen dhe kuptohen sëmundjet mendore. Pa biomarkues të vlefshëm - si skanime, analiza gjaku apo mjete të tjera për të identifikuar saktësisht gjendjen - psikiatria ngjan me mjekësinë infektive përpara se të kishim teorinë e mikrobeve.
Dhe, për ato barna të mundshme që duken premtuese, shumica prej tyre nuk funksionojnë në praktikë. Mesatarisht, 73 për qind e kandidatëve për barna psikiatrike dështojnë në Fazën 2, në fazën e zhvillimit klinik ku testohet nëse një bar funksionon mjaftueshëm për të vijuar më tej me kërkimin.
Për më tepër, për të arritur rezultate të forta nga provat klinike, studiuesit duhet të jenë në gjendje të rekrutojnë një numër të madh pacientësh. Kjo është shumë e vështirë - sistemet komplekse përmes të cilave njerëzit gjejnë prova klinike, shpesh janë të papërshtatshme për të përfshirë njerëz me probleme të shëndetit mendor. Një studiues na tha se në tre vjet kishte arritur të rekrutonte vetëm 30 nga 700 pacientët e nevojshëm.
Kjo situatë e bën shumë të vështirë sigurimin e fondeve private për zhvillimin e barnave për shëndetin mendor - rreziqet e tilla shqetësojnë investitorët. Situata është një lloj rrethi vicioz: mungesa e financimit kufizon mundësitë e studiuesve për të testuar objektivat dhe kandidatët premtues për barna. Kjo, nga ana tjetër, e bën suksesin më pak të mundshëm dhe investimin më të rrezikshëm.
Por, si mund të nxisim inovacionin në një fushë të lënë pas dore? Mund të marrim si shembull obezitetin, ku një investim i rëndësishëm e shndërroi një fushë me përparim shumë të ngadaltë në një tjetër me një rritje të jashtëzakonshme të zbulimeve dhe të zhvillimit të barnave.
Ka shenja se jemi në fillimin e një vale të re zbulimesh në barnat psikiatrike. Lloji i parë i ri i antipsikotikëve - pas më shumë se 50 vjetëve - vitin e kaluar u miratua për përdorim në ShBA. Kompania bioteknologjike nga Uellsi, Draig Therapeutics, njoftoi së fundmi se kishte siguruar 140 milionë dollarë për të zhvilluar trajtimin e saj të ri për depresionin. Përdorimi i inteligjencës artificiale dhe metodave të tjera të bazuara në të dhëna të mëdha, ka potencialin të transformojë këtë fushë. Ka gjithashtu një përqendrim të shtuar në analizimin e barnave ekzistuese, si antidepresivët, për të kuptuar se si funksionojnë dhe si mund të përmirësohen.
Fondacioni Wellcome është në proces të bashkimit me një konsorcium të madh publiko-privat që ka shpallur fonde për shkencëtarët që kërkojnë biomarkues për sëmundje, përfshirë çrregullimet mendore. Kjo mund të na ofrojë njohuri të pasura mbi biologjinë që qëndron prapa problemeve të shëndetit mendor dhe të nxisë trajtimet inovative.
Për ata që nuk besojnë se barnat farmaceutike janë një rrugë e duhur përpara, unë them se nuk mund të ketë një “ose-ose” në shëndetin mendor. Ndërsa duhet të shqyrtojmë me seriozitet ndërhyrjet jofarmakologjike, përfshirë ato digjitale dhe ndërhyrjet në shkallë të gjerë në politikat sociale, duhet gjithashtu të eksplorojmë edhe mundësitë që ofrojnë barnat.
Si një organizatë filantropike, Wellcome mund të mbajë mbi vete një pjesë të rrezikut të konsiderueshëm që lidhet me zhvillimin e barnave psikiatrike. Por, vetëm me përkushtimin e investitorëve, industrisë, shkencëtarëve dhe njerëzve me përvojë të drejtpërdrejtë, ne mund të gjejmë barna të reja që do të përmirësojnë jetën e miliona njerëzve në mbarë botën. /Telegrafi/

















































