Barcelona shokon me interesin e shfaqur për lojtarin që dështoi tek Bayern Munich

Barcelona synon të përforcojë repartin e sulmit këtë verë, dhe nuk është sekret që kjo është prioriteti kryesor i klubit.
Pas dështimit për të siguruar shërbimet e Nico Williams dhe me Luis Diaz që duket një objektiv thuajse i pamundur, katalanasit po shqyrtojnë alternativa të tjera.
Në krye të kësaj liste të opsioneve alternative është Marcus Rashford, i cili nuk është më në planet e Manchester United dhe pritet të largohet gjatë afatit kalimtar të verës.
Reprezentuesi anglez është në pritje të një transferimi te Barcelona, por drejtori sportiv Deco duket se nuk është plotësisht i bindur për këtë ide.
Opsione të tjera të përmendura si alternativa për sulmin përfshijnë edhe Antonio Nusa dhe Rafael Leao.
Megjithatë, një emër tjetër surprizë është shfaqur si kandidat për të shtuar thellësi në krahun e majtë të sulmit të Barcelonës.
Sipas El Chiringuito, Barcelona ka qenë në kontakt me përfaqësuesit e sulmuesit të Bayern Munich, Bryan Zaragoza. Klubi është i interesuar për Zaragozan si një alternativë në krahun e majtë.
Zaragoza kishte nisur bisedimet për një rikthim në La Liga. Celta Vigo kishte shfaqur interes për ish-sulmuesin e Granadas, i cili nuk bën pjesë në planet e Bayernit.
Megjithatë, negociatat me Celtan kanë ecur ngadalë dhe nuk ka pasur përditësime të reja rreth huazimit të mundshëm në ‘Balaidos’. Ai thuhet se ka rënë dakord për kushtet personale me klubin galician.
Zaragoza u rikthye në La Liga në formë huazimi sezonin e kaluar me Osasunan, ku tregoi momente brilante, veçanërisht në ndeshjen kundër Barcelonës, por pas një dëmtimi në dhjetor, pati vështirësi për të ruajtur formën.
Në total, ai e mbylli sezonin me një gol dhe gjashtë asistime në 28 paraqitje./Telegrafi/



















































