Sulmuesi i Athletic Bilbaos, Nico Williams dhe Barcelona: Saga e verës së kaluar është rikthyer me forcë ditët e fundit dhe nuk ka shenja që po ndalet. 

Të premten u raportua se agjenti i Williams, Felix Tainta, është takuar me drejtorin sportiv të Barcelonës, Deco, dhe tashmë katalanasit janë pozicionuar si favoritë për nënshkrimin e tij. 


22-vjeçari ishte përjashtuar nga lista e objektivave të Barcelonës deri para pak javësh, por zhvillimet më të fundit tregojnë se anësori bask ka shprehur qartë entuziazmin e tij për një transferim te gjigantët katalanas këtë muaj. 

Megjithatë, deri të hënën në mëngjes, Luis Diaz, sulmuesi i Liverpool, vazhdonte të citohej si prioriteti kryesor për Barcelonën, ndërsa presidenti Joan Laporta duket se ka një sërë dyshimesh rreth transferimit të mundshëm të Williams këtë verë. 

Në favor të këtij transferimi është edhe dëshira jo e vogël e Lamine Yamal, i cili do të donte të bashkohej me shokun e tij të skuadrës së Spanjës edhe në nivel klubi. 

Sipas Florian Plettenberg nga Sky Sports Deutschland, Barcelona tani kryeson garën për transferimin e Nico Williams. 

Bazuar në raportime të mëparshme se lojtari mund të vendosë të transferohet në ‘Camp Nou’ ose të rinovojë kontratën me Athletic, në vend që të largohet jashtë Spanjës, Plettenberg konfirmon se blaugranat janë përpara Bayern Munichut, Arsenalit dhe Chelseat në këtë garë. 

Laporta tani po analizon nëse marrëveshja është e vlefshme financiarisht dhe nëse klubi do të mund ta regjistrojë lojtarin në rast se nënshkruan me të. 

Nga ana tjetër, trajneri Hansi Flick raportohet se është i vendosur për ta pasur në skuadër, dhe Bayerni është informuar se Barcelona është në pozicionin më të favorshëm dhe nëse katalanasit bëjnë një lëvizje konkrete, pritet që marrëveshja të finalizohet./Telegrafi/

telegrafi sport app