EC Ma Ndryshe ka njoftuar se në Shkollën “Xhevat Berisha” në Prizren është mbajtur një takim me banorët e lagjes “Tusuz”, ku janë diskutuar nevojat dhe prioritetet infrastrukturore të komunitetit.

Në takim morën pjesë banorë të lagjes, kryetari i Bashkësive Lokale “Xhevat Berisha” dhe “UÇK”, Ali Berisha, si dhe zyrtari i Drejtorisë së Shërbimeve Publike të Komunës së Prizrenit, Alban Krasniqi.


Sipas EC Ma Ndryshe, furnizimi me ujë të pijshëm u identifikua si shqetësimi dhe prioriteti kryesor i banorëve, krahas nevojës për investime në infrastrukturën rrugore, kanalizim dhe ndriçim publik.

Gjatë takimit, Ali Berisha prezantoi kërkesat kryesore të komunitetit, duke theksuar se disa prej tyre u janë adresuar institucioneve komunale që nga viti 2024, por ende nuk janë realizuar. Ai kërkoi që këto projekte të përfshihen në planifikimet dhe investimet komunale për periudhën e ardhshme.

Banorët theksuan veçanërisht mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm në lagjen “UÇK”, ndërsa kërkuan edhe përmirësimin e rrjetit të kanalizimit dhe zgjerimin e ndriçimit publik.

Përfaqësuesi i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Alban Krasniqi, i informoi banorët për procedurat e planifikimit dhe realizimit të projekteve infrastrukturore, duke bërë të ditur se kërkesat e komunitetit do të shqyrtohen në kuadër të planifikimeve komunale, në përputhje me prioritetet dhe mundësitë buxhetore.

Banorët shprehën gatishmërinë për të vazhduar komunikimin me institucionet komunale, me qëllim të adresimit të nevojave infrastrukturore të lagjes.

Aktiviteti është realizuar në kuadër të projektit “Public Spaces 4 ALL”, të zbatuar nga EC Ma Ndryshe, me mbështetje nga Qeveria Gjermane dhe Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për Çështje Ekonomike (SECO), përmes GIZ Kosova. /Telegrafi/