LAJMI I FUNDIT:

“Banesa me çmime të përballueshme”, Qeveria iu kërkon komunave lokacione për realizimin e projektit

“Banesa me çmime të përballueshme”, Qeveria iu kërkon komunave lokacione për realizimin e projektit

Qeveria e Kosovës iu ka bërë thirrje komunave që të aplikojnë në thirrjen për caktimin e lokacioneve për projektin “Banim i përballueshëm”.

Komunat kanë afat deri më 22 shkurt që të dërgojnë në Qeveri lokacionet e përshtatshme për realizimin e projektit për banim të përballueshëm.


Kështu ka bërë të ditur të premten ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, ai ka thënë se janë kryer disa faza për këtë çështje dhe se “jetësimi i projektit të banimit të përballueshëm në vendin tonë po merr rrugën e vet”.

“Pas realizimit të studimit të fizibilitetit, sigurimit të mbështetjes financiare dhe draftimit të Ligjit, jemi në fazën e identifikimit të lokacioneve për objektet e banimit. Tashmë kemi dërguar thirrjen nëpër komuna dhe kemi filluar të marrim përgjigjet e para”.

“Kemi kërkuar lokacione të përshtatshme të parapara në planet hapësinore lokale dhe me qasje adekuate në infrastrukturë. Do eliminojmë getot duke realizuar banimin e kombinuar social e të përballueshëm në ambiente të përshtatshme banimi”, ka thënë ministri.

Sipas tij, çiftet e reja, punëtorët e administratës e familjet me të hyra të kufizuara që aplikojnë do të mund të marrin banesa me çmime të përballueshme.

Aliu ka kërkuar nga komunat që të çojnë sa më shumë lokacione të mundshme për banim të përballueshëm.

“Ju lusim që të na dërgoni sa më shumë lokacione sipas kritereve të kërkuara. Bashkë do të ia dalim që në çdo cep të vendit të krijojmë mundësitë e banimit adekuat për qytetarët tanë”, ka deklaruar ai. /Telegrafi/