LAJMI I FUNDIT:

Bajrami, Qeverisë: Po thoni po e luftojmë korrupsionin, 9 milionë euro iu falën Ferronikelit

Bajrami, Qeverisë: Po thoni po e luftojmë korrupsionin, 9 milionë euro iu falën Ferronikelit

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar të martën ndaj një vendimi të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).

Sipas saj, ky komision ka marrë vendim t’ia falë Ferronikelit 9 milionë e 19 mijë e 979 euro e 44 cent obligime ndaj shtetit rentë minerare.


Deputetja Bajrami ka shkruar në Facebook se, qeveria e thirrur për luftimin e korrupsionit, nuk po e lufton këtë dukuri.

“Po thonë po ‘luftohet korrupsioni’, që një fakt tjetër qysh 51%-shi po lufton korrupsionin: Bordi Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, KPMM, i zgjedhur nga 51% me datë 6 dhjetor 2021, ka marrë vendim të i falë Ferronikelit (kompani kjo 100% private) 9,019,979.44 Euro obligime ndaj shtetit rentë minerare”, ka shkruar ajo.

“Bordit të KPMM-së me datë 31.05.2022 e ka njoftuar Ferronikelin për detyrimin prej 9,019,979.44 milionë euro për rentë minerare, mandej me datë 29.08.2022 pendohet dhe nxjerr një vendim tjetër për ta liruar Ferronikelin nga ky obligim”.

Tutje, Bajrami ka thënë se përkundër fakteve të ditura, bordi po vazhdon të jetë në detyrë me kompetenca të plota.

“Shkarkimi i këtij Bordi ishte në rend dite në seancën e 2 shkurtit, por u largu nga rendi i ditës për procedurë dhe për çudi në seancën e ardhshme nuk është në rend dite, d.m.th. përkundër fakteve të ditura ky bord vazhdon të jetë në detyrë me kompetenca të plota”.

“Ky Bord sigurisht do të shkarkohet nga Kuvendi, por dëmi tashmë është bërë, tani shteti do të sorollatet nëpër gjykata duke kontestua vendimin e vet/Bordit të KPMM-së në favor të Ferronikelit. Garant komitetet e LVV-së, e cilësojnë këtë si ‘luftë kundër korrupsionit’”, ka përfunduar ajo. /Telegrafi/