Bajrami i LDK-së: Po i mbledhim nënshkrimet e deputetëve, do t’i drejtohemi ZRRE-së për anulimin e dy vendimeve

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, pas dështimit të seancës konstituive tha se LDK nuk ka votë për ndryshimin e mënyrës së votimit për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
“Zotëri Dehari nuk na dha as fjalën të shprehemi në kuvend. Unë aty iu drejtova se mundet me na thirr 48 herë, çdo 48 orë, por LDK nuk ka vota për ndryshimin e mënyrës së votimit”, tha ajo.
Bajrami ka folur edhe për takimin që është paralajmëruar nga Presidenca, në mënyrë që të dilet nga ngërçi politik.
“...Për neve fare nuk është me rëndësi se kush na fton dhe ku na fton nëse janë prezentë të gjitha partitë ne do të jemi aty”, tha ajo.
Bajrami tutje njoftoi po ashtu se i kanë mbledhur disa nënshkrime të deputetëve dhe disa do të vazhdojnë t’i mbledhin për t’iu drejtuar Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike për anulimin e dy vendimeve, atë për të hyrat maksimalet të lejuara për operatorët e energjisë eklektike si dhe për detyrimin e 1300 kompanive për të dalë në tregun e hapur.
“... do të dorëzojmë një kërkesë te Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike që të anulohen dy vendime. Anulimi e vendimin për të hyrat maksimalet të lejuara për operatorët e energjisë eklektike që ka rezultuar me ngritjen e çmimit të energjisë elektrike për 16.1 për qind në mënyrë që të parandalohet valë e re e inflacionit..
Dhe gjithashtu vendimin tjetër për detyrimin e 1300 kompanive për të dalë në tregun e hapur, kinse në tregun e hapur të lirë”, tha ajo, duke shtuar se nuk ekziston në Kosovë tregu u lirë i energjisë elektrike", tha ajo, raporton Telegrafi.
Sipas saj, janë 19 operatorë të licencuar, por janë informuar se rreth 200 kompani që kanë kërkuar të marrin oferta për furnizim me energji elektrike pas 1 qershorit ata kanë marrë vetëm një ofertë dhe atë nga CESCO, prej operatorit që aktualisht furnizohen.
“ZRRE e ka lehtë të verifikueshme se nuk ka treg të lirë të furnizimit me energji elektrike në tregun e Kosovës”, tha ajo.
Bajrami tha se ende fatkeqësisht nuk është konstituar Kuvendi për tu marr me problemet e qytetarëve të vendit, por sipas saj,është një hall i vetëm i LVV se si të vendoset në krye të vendit, Albulena Haxhiu.
"...Siç po shihet po shkojmë drejt një procesi zgjedhor dhe nëse shkojmë besoj fletëvotimi duhet të jetë tepër i thjeshtë, Kosova apo Albulena Haxhiu", tha ajo. /Telegrafi/

















































