Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se ai është takuar dy herë me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, pa ofruar asnjë propozim konkret apo emër për president.

Sipas Bajramit, këto takime kanë shërbyer vetëm për të konfirmuar se partitë nuk përkrahin kandidatë partiakë, ndërsa përgjegjësia kryesore për sigurimin e votave bie mbi Lëvizja Vetëvendosje, e cila së bashku me minoritetet ka 66 deputetë në Kuvend.


Ajo ka thënë se LVV ka pasur dy mundësi për të siguruar zgjedhjen e presidentit: duke përfshirë një parti politike në qeveri për të garantuar votat, ose duke propozuar një kandidat apartiak.

“Kurti as s’e ka bërë të parën, as s’po e bën të dytën. Nëse mendon që ka me zgjedhë president me shantazh duhet të mendohet dy herë, se gjasat janë reale që nuk përsëritet më 2021-ta,” ka shkruar Bajrami në Facebook.

Ajo paralajmëroi se shkuarja në zgjedhje do të sillte muaj të tërë pa institucione funksionale, kosto të larta financiare dhe rikthim në pikën ku vendi gjendet sot, duke e quajtur këtë qasje “papërgjegjësi totale”.

Bajrami u bëri thirrje qytetarëve të vëzhgojnë sjelljen e Kurtit, duke thënë se “ai veç hallin e tyre nuk e ka”, dhe kritikoi ambicien e tij për, siç shkroi ajo, kontroll të plotë institucional.

“Kosova nuk guxon të mbetet peng i dy apo tre emrave për president. Ka burra e gra me dije e integritet jashtë partive politike më shumë se brenda tyre – duhet vetëm vullnet dhe guxim,” përfundoi ajo.