Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri në një intervistë për Telegrafin ka folur për iniciativën e ndërmarr për nënshkrimin e peticionit nga qytetarët e Mitrovicës për bashkimin e qytetit, si dhe bisedën me presidentin Thaçi dhe deklaratat e kryeministrit Haradinaj, që kanë të bëjnë me bashkimin e qytetit të ndarë.

Bahtiri tregoi tri arsyet që e kanë dërguar deri në një veprim të tillë, siç është nënshkrimi i peticionit nga qytetarët e Mitrovicës.

Ai tha se në fillimet e qeverisjes së tij, Mitrovicën e ka gjetur me 15 mijë banorë të veriut të Mitrovicës të shpërngulur në jug të saj, barrikada në urën e Ibrit si dhe me shumë tensione.

“E kam gjetur Mitrovicën me 15 mijë banorë të shpërngulur nga veriu, me 9,876 incidente, me tonelata rërë në urën e Ibrit, me barrikada, me një gjendje shumë të rëndë të sigurisë. Dhe gjithë këtë e kam kaluar duke i falënderuar ambasadat për të filluar një proces të ri, për të ulur tensionet, sepse qëllimi im është për një zhvillim ekonomik”, tregoi ai.

Sipas tij, problemin e Mitrovicës e ka ditur jo vetëm Prishtina, por edhe Brukseli e Uashingtoni sepse Mitrovica siç tha ai është quajtur ‘qytet i problemeve’.

Gazetarja e Telegrafit gjatë intervistës me kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtiri

“Qëllimi im kryesor ka qenë stabiliteti. Serbët donin që lumi Ibër të ishte pjesë ndarëse e qytetit. Unë këtë nuk e kam lejuar, kam shkuar dhe në Bruksel. E kam nënshkruar memorandumin për kufijtë administrativ të planit të Ahtisaarit, ndërsa ish kryetari Rakiq nuk e ka nënshkruar. Ky ka qenë hapi  parë i imi. Hapi i dytë ka qenë hapja e urës së Ibrit, por dhe kjo ka qenë e pamundur…  Në zyrën e Apostolovës kemi biseduar me Goran Rakiqin, dhe ai nuk ka lejuar që kjo urë të hapet. Arsyet i ka thënë formale: ‘ende nuk janë pjek kushtet për t’u bashkuar ura’. Aty i kemi pas tensionet e ngritura. Sa që dola nga takimi. Dhe e treta që më ka futur në këtë proces ka qenë dorëheqja e kryetarëve të komunave në veri të Mitrovicës”, u shpreh ai.

Bahtiri tha se peticionin për bashkimin e Mitrovicës e kanë nënshkruar edhe qytetarët intelektualë të kombësisë serbe, pasi ata nuk dëshirojnë që të udhëhiqen nga strukturat ilegale serbe.

“Njerëzit intelektual në pjesën e veriut e kanë nënshkruar peticionin të cilët janë të komunitetit serb, sepse atje udhëheqin njerëzit e krimit. Tash unë e kam dërguar nëpër organet kompetente këtë peticion dhe atyre i mbetet që ta përkrahin këtë peticion të nënshkruar nga qytetarët”, theksoi ai, duke kërkuar nga zyrtarët e lartë në Prishtinë që të ndërmarrin hapa konkretë dhe ta bëjnë realitet statusin e Mitrovicës.

Kryetari i kësaj komune tha se gabimet janë bërë qysh para 20 viteve, dhe se qytetarët e Mitrovicës ende nuk e kanë gëzuar lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Jemi munduar çdo herë të iu dalim në ndihmë, por fatkeqësisht kompetencat e kryetarit të komunës janë të ndara. Kam filluar të ndërtoj disa shtëpi në pjesën e veriut dhe ish kryetari i veriut e ka qit policinë, inspeksionin për ndalimin e tyre. Nuk kam kompetencë si kryetar i komunës që të ndikoj. Qeveria ka mundësi të ndikojë dhe të merret me ta”, tha tutje Bahtiri.

I pyetur se a ka gjetur përkrahje nga krerët e shtetit për këtë peticion, ai tha se “Presidenti Thaçi zyrtarisht më ka përkrahur për këtë peticion. Parlamenti duhet të marr vendim… Kam biseduar me grupet parlamentare dhe më kanë përkrahur. Nuk e besoj që ka deputetë të Kosovës që nuk e përkrah këtë peticion”.

Ndërsa sa i përket deklaratës së kryeministrit Ramush Haradinaj, se nuk e kupton idenë e Bahtirit për bashkimin e Mitrovicës, ai u shpreh se është keqkuptuar deklarata e tij.

“Haradinajn e kam mik dhe e vlerësoj punën e tij dhe të mëparshme, por dhe sakrificën e tij.  Kam respekt për të. Para mediave mundet njeriu që edhe të gaboj. E kam dëgjuar dhe kuptimi i saj ka qenë ‘nuk mund të bashkohet Mitrovica prej atyre që e kanë nda’. E ka thënë për Kadri Veselin dhe Hashim Thaçin. Ai e di që unë nuk e kam nda Mitrovicën, sepse unë kam qenë në Holandë. Kështu e kam kuptuar. Nëse dikush e ka kuptuar ndryshe le ta marr dhe të dëgjoj”, sqaroi Bahtiri. /Telegrafi/