Pas seancës së mbajtur në Gjykatën Themelore në Ferizaj, avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi, përfaqësuese ligjore e të dyshuarit Diamant Gashi, ka folur para mediave duke kërkuar sqarime nga Prokuroria lidhur me raportimet se rasti i vrasjes së ndodhur ka prapavijë fetare dhe ideologjike.

Në deklarimin e saj, avokatja Gashi-Bytyqi ka theksuar se në kërkesën për caktimin e paraburgimit nuk ka asnjë përmendje të motiveve ideologjike apo fetare dhe ka kërkuar që kjo çështje të trajtohet me kujdes nga institucionet dhe mediat.


“Ajo çka mund të them për juve dhe opinionin publik në këtë fazë, është se kërkova nga prokurori i çështjes dhe kryeprokurori i Ferizajt, Burim Çerkini, të dalin edhe njëherë dhe të japin sqarim se kjo vrasje askund nuk është përmend në kërkesën për paraburgim si e lidhur me çështje ideologjike, fetare apo islamiste, siç po e përdorin disa media".

"Sepse kemi të bëjmë edhe me rrethana tjera, përfshirë edhe parimin e prezumimit të pafajësisë, që është i garantuar me Kushtetutën e Kosovës dhe konventat ndërkombëtare,” u shpreh avokatja.

Ajo shtoi se etiketimi i familjes së të dyshuarit përmes deklarimeve të pakonfirmuara është i dëmshëm dhe paragjykues.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Diamant Gashi dhe persona të tjerë janë nën hetim për veprën penale të “vrasjes së rëndë” në bashkëkryerje.