LAJMI I FUNDIT:

AUV-i shpërndan një milion vaksina për kafshët e egra

AUV-i shpërndan një milion vaksina për kafshët e egra

Ka filluar sot të implementohet projekti për vaksinimin nga ajri i kafshëve të egra kundër sëmundjes së tërbimit në gjithë territorin e Kosovës, projekt ky i financuar dhe menaxhuar nga Bashkimi Evropian.

Kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV), Valdet Gjinovci tha se ky vaksinim është me rëndësi parandalimi i sëmundjeve të tërbimit të kafshëve të egra për shkak se rrezikojnë edhe shëndetin e njeriut.


“Mbi të gjitha ajo çka është e rëndësishme, ndikon në mënyrë pozitive në zhdukjen e sëmundjes së tërbimit te kafshët e egra, të cilat në njëjtën kohë janë bartës apo transmetues të sëmundjeve edhe te kafshët e tjera, por mund të jenë të rrezikshme edhe për shëndetin e njeriut. Andaj, Agjencia e ushqimit dhe veterinës gjithmonë ka bërë kërkesë në drejtim të Komisionit Evropian”, tha Gjinovci.

Vaksinat u shpërndan mbi territorin e Kosovës me fluturake që nisi nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.

AUV do të shpërndajë mbi një milion vaksina.

Kryeshefi i AUV tha se janë dy faza vjetore ku realizohet vaksinimi apo shpërndarja e tyre, në periudhën e pranverës dhe vjeshtës.

“Deri më datën 31 do të shpërndahen 250 mijë vaksina dhe brenda vitit do të shpërndahen 500 mijë vaksina dhe do të realizohen katër faza të vaksinimit për dy vjet, që janë rreth 1 milionë vaksina, të cilat do të shpërndahen në tërë territorin e vendit. Vlera e projektit është 1 milionë euro që financohet nga ana e Komisionit Evropian, në këtë rast përfitues është Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës dhe mbi të gjitha Kosova në përgjithësi”, ka thënë ai.

Shpërndarja e vaksinave për herë të parë në Kosovë pati filluar që prej vitit 2010. /KP /Telegrafi/