LAJMI I FUNDIT:

ATO-ja dhe ASK-ja nuk monitorohen sipas parashikimit ligjor

ATO-ja dhe ASK-ja nuk monitorohen sipas parashikimit ligjor

Agjencia Teknike Operative për ndjekjen e telekomunikimeve dhe Agjencia për Siguri Kombëtare me kompetenca përgjimi, nuk monitorohen nga asnjë trup sipas përshkrimeve ligjore. Kjo për arsye se Komisioni kompetent për monitorimin e zbatimit të masës së përgjimit nuk ka akoma ekspertë kompeten kurse Këshilli qytetar nuk ka kushte pune dhe as mjete financiare për të funkionuar. Kryetarja e Këshillit qytetar, ish gjykatësja Margarita Caca Nikollovska, duke apeluar që ky problem të mos partizohet, ka kërkuar zgjidhje për t’u hapur rruga që Këshilli të mund të shfrytëzojë mjetet buxhetore që posedon Kuvendi për këtë qëllim. Ajo alarmon për seriozitetin e çështjes duke mos e fshehur mundësinë për keqpërdorimine sërishëm të masës së përgjimit.

“U njoftoj se nuk ka absolutisht asnjë vullnet politik, dhe u siguroj se nuk ka pasur asnjë faktor relevant i cili nuk ka qenë i njoftuar me problemet. Mes tjerash, herën e fundit e informuam edhe Presidentin e shtetit, duke e pasur parasysh situatën se me shpërndarjen e Kuvendit nuk do të ketë asnjë organ i cili do të mund të bëjë kontroll. Nuk kemi paraqitje nga qytetarë por në njëfarë mënyre qytetarët pëshpërisin se bëhen përgjime. A janë ligjore ose jo, nuk mund t’u përgjigjemi pa bërë kontrolle në këto organe”, deklaroi Margarita Caca Nikollovska, kryetare e Këshillit qytetar.


Nikollovska u prononcua pasi kreu i Komisionit për sistem politik paralajmëroi nismë për interpretim autentik të Ligjit për ndjekjen e komunikimeve me të cilin do t’i mundësohet këshillit të shfrytëzojë mjetet. Për iniciatorët e interpretimit autentik është e paqartë se pse kryeparlamentari Talat Xhaferi këmbëngul se nuk ka të drejtë ligjore për të destinuar mjetet që i takojnë këshillit. Xhaferi për mediat tha se ligji në fjalë ka qenë problematik në aspektin financiar që në përpilimin e tij. Ai kujtoi se procedura për plotësimin dhe ndryshimin e tij është në Kuvend por kërkohet dakordim nga partitë për 2/3 e votave të nevojshme. Sapo partitë të merren vësh për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit me çka Këshillit qytetar do t’i mundësohet shfrytëzimi i mjeteve, kryeparlamentari shprehet i gatshëm ta vendosë ligjin për votim.

“Shën kryetari i Kuvendit po të jesh, jo unë por kushdo që të vijë pas meje, pa bazë ligjore, sado që të ketë mjete financiare të parapara për një çështje nuk mund t’i harxhojë nëse nuk ka metodologji të qartë për çdo dhe si do të harxhohen ato mjete. Çdokush që do të vendosë nënshkrim në harxhim të atyre mjeteve, pa bazë ligjore, bën shkelje të ligjeve dhe ka përgjegjësi adekuate”, tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Për momentin, Komisioni për monitorimin e zbatimit të masës së përgjimit nuk posedon ekspertët e teknologjisë të cilët do të mund të vërtetonin nëse ka keqpërdorim ose përgjime të jashtligjshme. Arsyeja edhe në këtë rast është financiare. Ndërkohë, edhe kreu i ATO-së kohë më parë pranoi se mbi shërbimet e sigurisë nuk ushtrohet kontrolli i majftueshëm./Alsat/