Atletico e shkatërron autobusin

Atmosferë fantastike mbizotëroi në Stamford Bridge, me Mourinhon që inkuadroi atë që ishte formacioni më i fortë. Torres startoi, bashkë me Hazardin e Ivanovicin.
Por, Mourinhos lojtarët e kthyer nuk i kryen punë dhe autobusi i ndeshjes së parë që mbajti në lojë Chelsean i mungoi Bluve, të cilët u shpartalluan nga formacioni luftarak i Diego Simeones, i cili dëshmoi se është trajneri i ri, më i mirë në botë.
Në fillim të sfidës, Koke rrezikoi për mysafirët, me një krosim që shkoi drejt portës dhe për pak sa nuk e befasoi portierin Schwarzer, mirëpo topi u përplas për shtylle.
David Luiz ka mundur të shënojë një gol spektakolar për vendasit, mirëpo goditja e tij përfundoi shumë pranë shtyllës.
Dhe pas një angazhimi të Azpilicuetas, Fernando Torres i shënoi ish-klubit të tij (36’) dhe natyrisht nuk e festoi golin.
Mirëpo, pas presionit të madrilenëve, Adrian reagoi për mrekulli në zonë për ta barazuar rezultatin (44’).
Pjesa e dytë filloi në mënyrë të zjarrtë. Chelsea filloi me dominim në pjesën e dytë, duke rrezikuar në mënyrë të vazhduar portën.
Mungesa e portierit Petr Cech u tregua vendimtare në këtë fraksion.
Në minutën e 60-të ishte Eto'o ai që ndërhyri në Diego Costan dhe që rezultoi me një penalti për Atleticon, të cilën e konkretizoi pa ndonjë problem Diego Costa.
Në vazhdim Chelsea i vuri të gjitha forcat në sulm, e kjo i konvenoi Atleticos që me kundërsulme e vulosi lojën.
Pas një aksioni të rrezikshëm të mysafirëve, te vendi u gjend konkret turku Arda Turan, i cili realizoi në portën e rezervistit Schëarzer, dhe që vulosi edhe fatin e takimit (72'). Arda Turan në lot, ashtu sikurse tifozët e Chelseat që s'mund të besonin atë që po u ndodhte në territorin e tyre.
Deri në fund Chelsea u hodh në sulm dhe Atletico u mbrojt mirë. Madje Los Rojiblancos patën mundësinë që të thellojnë epërsinë e tyre fenomenale në udhëtim, duke rrezikuar edhe disa herë me Koken dhe Turan.
Me këtë fitore Atletico Madridi siguron në mënyrë historike finalen, duke befasuar të gjithë me fitoren e arritur në Londër, teksa për Chelsean e Mourinhos ka mbetur vetëm Liga Premier në lojë, e as kjo nuk është e sigurtë.
Atletico Madridi e meriton plotësisht finalen e Ligës së Kampionëve. Ekipi i Diego Simeones nuk pësoi asnjë humbje gjatë rrugëtimit në Ligën e Kampionëve dhe mbetet të shihet nëse strategu i ri argjentinas, legjendë e Interit, do të inspirojë skuadrën e tij drejt një triumfi historik, ndaj rivalit historik të kryeqytetit spanjoll, fqinjit, Real Madrid.
Finalja e Ligës së Kampionëve, Real Madrid – Atletico Madrid zhvillohet më 24 maj, në Lisbonë të Portugalisë. /Telegrafi/












































