Administrata Tatimore e Kosovës ka shënuar rezultatin më të lartë historik në mbledhjen e të hyrave tatimore, duke tejkaluar shifrën prej 1 miliard eurosh gjatë këtij viti.

Ky sukses u prezantua në Konferencën Vjetore për Media të ATK-së, ku Drejtori i Përgjithshëm, Mentor Hyseni, bëri të ditur se ky është niveli më i lartë i të hyrave të mbledhura ndonjëherë nga tatimet në Republikën e Kosovës.


Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se rekordi është rezultat i një qasjeje të qartë politike për forcimin e shtetit dhe institucioneve, si dhe sigurimin e barazisë për të gjithë tatimpaguesit.

Sipas tij, politikat fiskale kanë krijuar kushtet që ATK-ja të veprojë me profesionalizëm, integritet dhe pavarësi, ndërsa Qeveria ka ofruar dhe do të vazhdojë të ofrojë mbështetje për modernizimin dhe digjitalizimin e administratës tatimore.

Gjatë prezantimit të tij, drejtori Hyseni theksoi se tejkalimi i pragut prej një miliard eurosh nuk është rastësi, por rezultat i disiplinës institucionale, punës së vazhdueshme në terren dhe rritjes së përmbushjes vullnetare tatimore.

Ai shtoi se ATK ka ndjekur një qasje të drejtë, duke mbështetur bizneset që respektojnë ligjin dhe duke vepruar me vendosmëri ndaj atyre me rrezik të lartë dhe sjellje të parregullta, bazuar në analiza të sakta të riskut.

Sipas ATK-së, ky rezultat pasqyron forcimin e administrimit tatimor, efektet pozitive të reformave institucionale dhe rritjen e besimit të tatimpaguesve në sistemin fiskal.

Në përmbyllje të konferencës, Hyseni shprehu mirënjohje për tatimpaguesit për përgjegjësinë qytetare në përmbushjen e obligimeve tatimore, si dhe për stafin e ATK-së për profesionalizmin dhe angazhimin e vazhdueshëm.

Ai falënderoi gjithashtu mediat për bashkëpunimin dhe informimin e vazhdueshëm të qytetarëve dhe bizneseve mbi punën dhe rezultatet e administratës tatimore./Telegrafi.