LAJMI I FUNDIT:

Askush nuk jep përgjegjësi për burgun e të pafajshmëve

Askush nuk jep përgjegjësi për burgun e të pafajshmëve
Burgu i Dubravës /Foto: Ridvan Slivova

Ende i dëgjon krismat e shulave të dyerve të qelive të burgut. I ka të freskëta edhe pas gati tre vjetëve, qëkur është shpallur i pafajshëm nga shkalla e dytë, pasi që shkalla e parë e kishte dënuar me 25 vjet burg për kinse vrasjen e të dashurës së tij.

“Gjithmonë në vesh i kam shulat e burgut”, thotë ish- karateisti Flamur Hasani nga Ferizaj.


E ka të pamundur të largojë nga mendja oshtimën e tyre, që e dëgjoi për më shumë se shtatë vjet rresht, shkruan sot “Koha Ditore”.

Edhe pse që nga shtatori i vitit 2013 është i lirë, për të më asgjë nuk është njësoj. Ende vazhdon ta dojë vetminë me të cilën thotë se u mësua në burg e shpeshherë thotë se i duhet të përdorë edhe qetësues.

E ka të vështirë të përshkruajë atë që tani ndien.

“Pa dashje të vjen një mërzi që nuk e di as për çfarë po të vjen. Është një urrejtje pse dikush ta ka bërë këtë”, thotë ai, duke rikujtuar që askush nuk ka dhënë përgjegjësi për kohën që ai e kaloi prapa grilave pa pasur ndonjë faj.

Atë kohë thotë se nuk mund t’ia kompensojë askush me asgjë.

“Çka duash me të dhanë nuk i shlyen ato vuajtje, hiç asgjë, e ndien një farë mungese, zbrazëtie diku brenda vetes”, tregon Hasani të cilin e pengon edhe më shumë fakti që gjyqtarja që ia kishte shqiptuar dënimin prej 25 vjetëve, e prokurori i rastit e mjeku ligjor nuk janë përgjigjur asnjëherë për atë që ai kishte vuajtur.