LAJMI I FUNDIT:

Për tre muaj regjistrohen mbi 2,400 ndërmarrje të reja në Kosovë, rreth 20 për qind më pak se viti 2020

Për tre muaj regjistrohen mbi 2,400 ndërmarrje të reja në Kosovë, rreth 20 për qind më pak se viti 2020

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë, për tremujorin e katërt (TM4) 2021.

Në tremujorin e katërt të vitit 2021 (TM4) gjithsej janë regjistruar 2,416 ndërmarrje.


Krahasuar me tremujorin paraprak (TM3 2021) ka rënie për (-2.6%) të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërsa, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM4 2020) ka rënie për (-18.7%) të ndërmarrjeve të regjistruara.

Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: Tregtia me shumicë dhe pakicë dhe riparimi i mjeteve motorike, motoçikletave me 646 ndërmarrje të regjistruara (26.73%); Prodhimi me 296 ndërmarrje të regjistruara (12.25%); Akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 251 ndërmarrje të regjistruara (10.38%); Aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 237 ndërmarrje të regjistruara (9.80%); Ndërtimtaria me 183 ndërmarrje të regjistruara (7.57%), etj.

Në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar janë gjithsej 2,314 ndërmarrje të regjistruara në këtë tremujor (95.78 %); me 5 deri 9 të punësuar ishin 58 sosh (2.4%); me 10 deri në 19 të punësuar ishin 29 ndërmarrje të regjistruara (1.2%); me 20 deri 249 të punësuar ishin 15 ndërmarrje të regjistruara (0.6%); ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar, nuk ka asnjë ndërmarrje të regjistruar.

Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor mbizotëron komuna e Prishtinës me 765 ndërmarrje të regjistruara (31.66%); Ferizaj me 234 ndërmarrje të regjistruara (9.69%); Prizreni me 169 ndërmarrje të regjistruara (7%); Gjilani me 136 ndërmarrje të regjistruara (5.63%); Peja me 125 ndërmarrje të regjistruara (5.17%); dhe Fushë Kosova me 117 ndërmarrje të regjistruara (4.84%); ndërsa komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor. /Telegrafi/