ASH: Paralajmërimet nga "Safe City" po bëhen vetëm në gjuhën maqedone, VLEN duhet të reagojë

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar pas fillimit të funksionimit të sistemit"Safe City", pasi njoftimet nga MPB po vijnë vetëm në gjuhën maqedone e jo dhe në gjuhën shqipe.
"Pas lëshimit në përdorim të projektit “Safe City” në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë kanë nisur edhe SMS porositë e para për qytetarët me paralajmërime. Edhe pse këtë projekt mund ta vlerësojmë si një hap drejt sigurisë në komunikacion, është e pafalshme që SMS porositë të lëshohen pa gjuhën shqipe. Dhe le ta themi qartë: kjo nuk është hera e parë që institucionet e shtetit e shpërfillin gjuhën shqipe. Ky problem është i përsëritur dhe tashmë i qëllimshëm", thanë nga Aleanca për Shqiptarët.
ASH ka kritikuar dhe koalicionin VLEN në qeveri për mosreagim.
"VLEN-i, që mban pozitën e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, duhet të përgjigjet: çfarë funksioni real ushtron në këtë dikaster? A është aty për të garantuar të drejtat e qytetarëve shqiptarë, apo shërben vetëm si dekor politik, pa asnjë ndikim të vërtetë brenda strukturave të VMRO-së?'Safe City’ pa gjuhën shqipe, VLEN-i si dekor në Qeveri sërish hesht Nëse VLEN-i pretendon se përfaqëson shqiptarët në institucionet shtetërore, atëherë pse hesht përballë një shkeljeje kaq elementare dhe të përsëritur? Pse nuk reagoi për faktin se edhe ky projekt, ashtu si shumë herë më parë, injoron detyrimin ligjor për përdorimin e gjuhës shqipe? Sepse nëse një zëvendësministër nuk arrin të sigurojë as zbatimin bazik të gjuhës shqipe të ministrisë që ai përfaqëson, atëherë roli i tij nuk është përfaqësim – është nënshtrim", thonë nga ASH-ja.


































