Në qytetin e Gjirokastrës, në 18-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, mjeshtrja qëndistare Eli Zhulati ka punuar suvenire të veçanta ku prezantohen imazhet e shtetit kosovar dhe simboleve tona kombëtare.

Plot emocion ajo ka realizuar në qëndisje flamurin e Kosovës si simbolikë e këtij përvjetori të veçantë.


“Nga kjo mendova që pjesë e festimeve të tyre të ishin edhe disa punë të vogla artizanale të bëra nga kjo punishte, unë kam qenë disa herë në Kosovë, mirëpo verën që kaloi vajzat e vogla të lindura në Gjirokastër gjatë atij eksodi të madh të Kosovës erdhën dhe ishin shumë të entuziazmuara dhe thonin unë jam kaq vjeç, ato kishin relativisht të njëjtën moshë , këto ishin tre vajza edhe dy djem që kishin lindur në Gjirokastër , dhe për ndër të atyre që edhe Gjirokastrën e quanin pjesë të shtetit të tyre të ri e mendova edhe këtë gjë”, tha Eli Zhulati.

Për qëndistaren gjirokastrite përbën një mbresë domethënëse punimi karakteristik i flamurit të Kosovës në 18-vjetorin e Pavarësisë.

“Ti përmbahemi asaj fjalës të thënë shumë herë edhe nëpër këngë të këngëtarëve kosovarë “Një komb, një flamur” është emocionuese megjithëse është një shtet i ri , jo aq sa ne si shtet i pavaruar ka emocionet e tij”, shtoi ajo.

Përgjatë sezonit të verës vizitorët nga Kosova janë mjaft të interesuar që si kujtim nga udhëtimi i tyre në Shqipëri të marrin një suvenir në qytetin e gurtë.

“Në sezonin e turizmit, gjatë verës kur edhe ata janë me pushime ka kërkesa për suvenire prej tyre, bëjnë porositë më përpara ose të një veshje të kompletuar të trevës nga ata janë por ka nga ata që blejnë edhe një plis të Kosovës”, u shpreh qëndistarja Eli.

Suveniret me motive kombëtare zënë pjesën më të madhe të punimeve karakteristike të mjeshtrave artizanë në Gjirokastër./euronews/