Artisti kosovar, Petrit Halilaj, i cili ka fituar së fundmi Çmimin prestigjioz Nasher, ka shprehur emocionin dhe mirënjohjen e tij për këtë nder të madh.

Ai deklaroi: "Nuk e prisja kurrë këtë njohje! Laureatët e mëparshëm, si Nairy Begramian, Pierre Huyghe, Doris Salcedo dhe Theaster Gates, janë njerëz dhe artistë që i admiroj thellësisht, dhe nuk kam fjalë për të përshkruar nderin dhe përulësinë që ndjej sot”.


Çmimi Nasher vjen me një shpërblim prej 100,000 dollarësh (rreth 85,000 euro), të cilin artisti ka vendosur ta dhurojë tërësisht për Fondacionin Hajde! për të mbështetur kulturën në Kosovë.

Petrit Halilaj/FaceBook

Ai shtoi: "Në vitet e ardhshme, pres të mësoj nga një institucion si Nasher Center, të njoh Dallas-in dhe komunitetin e tij. Dy vitet e ardhshme do të jenë emocionuese për Hajde!, dhe për mua, mezi pres të punoj me ekipin e jashtëzakonshëm të Nasher dhe studion time në procesin që do të kulmojë me realizimin e projektit të ri në Dallas!".

Artisti përkushtoi këtë moment për familjen dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë rrugëtimit të tij, nga nëna deri te familjarët e tjerë, partneri i tij Alvaro në Berlin, e gjithë stafi i studios dhe galeritë që e kanë ndihmuar dhe frymëzuar.

Petrit Halilaj/FaceBook

Megjithatë, ai nuk harroi realitetin e dhimbshëm që po përjeton bota: "Por nuk ka gëzim të plotë në këto ditë, kur ndodh gjenocid. Mendimet e mia janë me popullin e Gazës. Unë bëj thirrje për paqe, kërkoj nga qeveritë tona që të mos jenë bashkëfajtorë, dhe kërkoj një armëpushim të përhershëm. Unë jam me Palestinën, unë jam me njerëzimin”.

Ky çmim është një njohje e rëndësishme ndërkombëtare dhe një mundësi për të transformuar një arritje personale në një ëndërr kolektive për kulturën në Kosovë. /Telegrafi/

Petrit Halilaj/FaceBook