Ka fjalë që përdoreshin dikur me solemnitet, si rilindje, identitet, transformim. Fjalë të mëdha që mbartnin shpresë dhe një vizion për një vend të ndërtuar mbi rrënojat e një të kaluare të dhimbshme. Por, siç ndodh shpesh në histori, retorika ia kaloi realitetit dhe ne mbesim atje ku ishim më  parë. Dhe, ajo rilindje për të cilën ëndërruam të gjithë, ajo kthesë që duhej të ishte e thellë dhe e sinqertë, mbeti një metaforë bosh. Një mozaik fjalësh në muret e ftohta të konferencave shtetërore.

Arti ka heshtur ndonjëherë, por nuk ka mashtruar. Ai ka qenë dëshmitari më i vërtetë i mungesës së rilindjes së premtuar. Në secilën pikturë të pathënë, në çdo instalacion të braktisur, në çdo ekspozitë të injoruar nga pushteti, arti ka thirrur, jo për të lavdëruar, por për të kujtuar. Për të protestuar. Për ta thënë  një  të  vërtetë  që  nuk doli nga goja e atyre që  nuk ju luan në  kartat e tyre!


Angazhimi me gjysmë zemre i politikës për të ndërtuar një rilindje të re nuk ishte vetëm mungesë vizioni. Ishte një zgjedhje. Një zgjedhje për të ruajtur status quo-në, për të shmangur ndryshimin e thellë që kërkon më shumë se një mandat politik. Rilindja nuk ndodh me slogane. Ajo kërkon përulje ndaj së kaluarës dhe guxim për të sfiduar të tashmen. Do angazhim të  sinqertë e vizionar, do ekipe me profesionistë e jo politikanë  të karrierës dhe edhe më  pak njerëz të  paskrupullt e hileqar.

Ka pasur shumë shanse që u lanë anash - si një libër i mirë që nuk u hap kurrë. Projekte të mëdha kulturore u dënuan me heshtje. Artistë që mund të ishin ambasadorë të shpirtit të këtij vendi, mbetën të vetmuar në atelierë pa dritare. Iniciativa që mund të ngjallnin jetë në qytetet tona u mbytën nga burokracia e verbër dhe mungesa e vullnetit. Asnjë rilindje nuk ndodh duke injoruar mundësinë. Të gjitha këto do të mbesin akte në sirtar - pa pasur shansin të shdërrohen ne mundësi reale.

Diaspora, që është ndoshta tharmi më i gjallë i këtij kombi, u përdor si simbol elektoral, si një imazh me viza votimi, si një remitencë e garantuar kolektive - por pa një kontrate te vlefshme, por jo edhe si një potencial për zhvillim. Ajo nuk u ftua në tryezën e reformave, por vetëm në stadiumin e fjalimeve. Dhe në këtë përjashtim të heshtur, ne kemi humbur dije, eksperiencë, kapital dhe, më e dhimbshmja - besim.

Në vend të strategjive të mirëfillta, ende flasim për "plane zhvillimi" që jetojnë vetëm në sirtarë, në formate Word-i pa fund, në disqe kompjuteriki që askush nuk i hap më. Strategjitë janë kthyer në relike administrative, jo në mjete ndryshimi. Ato nuk janë përkthyer as në rrugë të reja, as në institucione funksionale, e as në qytete që frymojnë art dhe edukim. Teori të pafundme pa një bazë reali për zbatim konkret.

Ky vend nuk mund të vazhdojë të jetojë nga një fushatë në tjetrën, si një orë rëre që rrotullohet çdo katër vjet pa ndryshuar formën. Ne nuk kemi nevojë për një tjetër premtim. Ne kemi nevojë për një katarsis kolektiv. Një moment ku të gjithë e pranojmë që gabimet janë bërë, që shumëçka është keqmenaxhuar - por që tashmë nuk ka më kohë për iluzione. Vendime të mëdha e konkrete duhet te ndodhin.

Gabimet nuk guxojnë të përsëriten. Nuk ka më vend për arsyetime. Kjo tokë meriton më shumë se heshtjen e saj, më shumë se zbukurimin me projekte fiktive dhe më shumë se një fotografi, në të shumtën e rasteve në rrjetet sociale për ndonjë raport ndërkombëtar. Kjo tokë meriton të dëgjojë artistin e saj, të kthejë artin e kulturën e sidomos aftësinë intelektuale të lëne anash  në qendër të zhvillimit të vet, jo si dekori i fundit, por si themelet e para të një rilindjeje të vërtetë.

Nëse rilindja nuk ndodhi atëherë, tani është koha ta nisim. Por, këtë herë jo me fjalë të bukura. Me dritë. Me vepra. Me të vërtetën. Me art, kulturë e intelekt.