LAJMI I FUNDIT:

Arsimtarët protestë për 1 Maj, marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit në Tiranë

Arsimtarët protestë për 1 Maj, marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit në Tiranë

Në 1 Maj, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, mësues kanë dalë në protestë për të kërkuar një pagë dinjitoze, pasi sipas tyre në të kundërtën e ardhmja e vendit është në rrezik.

Duke mbajtur pankarta në duar ku shkruajnë “Stop Burokracive”, “Na Jepni Shpërblimin e Fundvitit”, mësuesit kërkojnë që 5 për qind e prodhimit të Brendshëm Bruto të shkojë për arsimin, një premtim ky i kryeministrit Edi Rama, i pambajtur sipas mësuesve.


Me pankarta dhe banderolë, ata marshuan drejt Ministrisë së Arsimit.

“Mbani premtimin për rritjen e pagave të mësuesve, duhet dyfishim i pagave në arsim, që profesioni i mësuesit të bëhet i kërkuar nga maturantët. Ne e shohim se si shumë degë të mësuesisë janë mbyllur fare, dhe në degët e matematikës, fizikës, kimisë është shumë i pakët dhe i pamjaftueshëm, shkojnë nxënësit me mesataren më të ulët, ne kemi kërkuar që buxheti për arsimit të jetë 5% i PBB”, tha një nga mësuesit.

Duhet thënë se pas më shumë se 4 vitesh, sindikata e mësuesve është rikthyer në protesta duke ngritur zërin për problematikat që i shqetëson. /Telegrafi/