Arsimi fitore me rikthim, Bashkimi i sigurt ndaj Shkupit

Sot u luajtën dy duele të javës së 10-t, të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, njofton Telegrafi. Shefit Shefiti me hat-trick spektakolar përmbysi Tikveshin, ndërsa Bashkimi e theu Shkupin për 4–1 në javën e 10-të të Ligës së Parë.
Në njërën prej ndeshjeve më dramatike të këtij sezoni, Tikveshi e humbi një fitore të sigurt ndaj Arsimit, ndonëse udhëhiqte me 2–0 dhe 3–1. Dueli në Kavadar përfundoi me fitoren e çegranasve 3–4, me Shefit Shefitin protagonist absolut falë një hat-tricku të jashtëzakonshëm, ndërsa Taipi në shtesë vulosi përmbysjen historike.
Skuadra eeTikveshit dominoi ndeshjen dhe me dy gola të Sadikut shkoi në pushim me avantazh 2–0. Në pjesën e dytë, Shefiti ngushtoi rezultatin, Ivanovski riktheu diferencën në 3–1, por në minutat e fundit Shefiti shënoi dy herë për 3–3, përpara se Taipi të realizonte golin e fitores në sekondat e fundit (3–4).
Pas kësaj fitoreje, Arsimi ngjitet në vendin e tetë me 11 pikë, ndërsa Tikveshi mbetet një pozitë më poshtë me 8 pikë.
Në ndeshjen tjetër të javës së 10-të, Bashkimi nga Kumanova vazhdoi formën e mirë duke mposhtur Shkupin me rezultat bindës 4–1. Skuadra e Muarem Muaremit dominoi nga fillimi deri në fund, me Aleksovskin dhe Simonovskin që shënuan herët për epërsi 2–0. Shkupi ngushtoi nga penalltia me Shukun, por Avronio riktheu qetësinë me golin e tretë para pushimit. Në fillim të pjesës së dytë, Bashkimi shënoi edhe golin e katërt, duke vulosur një fitore të merituar.
Me këtë triumf, Bashkimi ngjitet në kuotën e 18 pikëve dhe afrohet me vendet e kreut, ndërsa Shkupi mbetet në fund të tabelës me vetëm një pikë pas dhjetë javësh kampionat.





















































