Arsim Thaqi, "shpëtimtar" i Prishtinës: Dy herë në timon, dy herë në garat evropiane

Prishtina të enjten u shpall fituese e Kupës së Kosovës, pasi mposhti në finale Llapin me rezultat 1-0.
Goli i shënuar nga Albin Krasniqi në minutën e 60-të të ndeshjes ishte vendimtar për kryeqytetasit.
Ky triumf bëri që Prishtina ta shpëtonte sezonin pas një ecurie mjaft të dobët të rezultateve në kampionat, duke siguruar kështu pjesëmarrjen në garat evropiane sezonin e ardhshëm.
Meritat kryesore për këtë sukses të Prishtinës po i atribuohen trajnerit Arsim Thaçi, i cili po konsiderohet si ‘shpëtimtar’ i Prishtinës.
Thaçi e mori drejtimin e Prishtinës pas largimit të francezit Jean Michel Cavalli, i cili nuk ia doli të sjellë suksese në klubin bardhëekaltër.
Kjo nuk ishte hera e parë që Thaçi ulet në stolin e Prishtinës, pasi ai edhe në të kaluarën ishte timonier i tyre.
Hera e parë që ai mori drejtimin e skuadrës ishte më 29 mars 2017, në një periudhë gjithashtu të trazuar.
Në atë sezon, ai drejtoi Prishtinën në 11 ndeshje, duke regjistruar 10 fitore dhe vetëm një humbje dhe kjo e katapultoi klubin në vendin e dytë në tabelë. Kupa e Kosovës u fitua nga Besa e Pejës pas fitores ndaj Llapit, ku Prishtina përfitoi nga mungesa e licencimit të Besës dhe siguroi pjesëmarrjen në garat evropiane.
Tani gati pas tetë vitesh nga periudha e tij e parë, Thaçi ka arritur ta rikthejë sërish buzëqeshjen në fytyrat e tifozëve të Prishtinës, duke siguruar pjesëmarrjen në kualifikimet për fazën e ligës në Ligën e Evropës.
Ndonëse ende nuk ka diçka të konfirmuar, në këto ndeshje kualifikuese Prishtina mund të vihet përballë ekipeve të njohura si Shakhtar Donetsk dhe Legia Varshava.
Kujtojmë se Prishtina të dielën do të luajë ndeshjen e fundit të këtij edicioni, ku do të jetë nikoqire e Malishevës në ‘Fadil Vokrri’./Telegrafi/






















































