Gjigantët e Ligës Premier, Arsenali dhe Chelsea, janë futur në garë për transferimin e një prej talenteve më premtuese të Paris Saint-Germain, mesfushorit 19-vjeçar Senny Mayulu.

Sipas raportimeve të fundit nga Caught Offside, bisedimet për rinovimin e kontratës mes lojtarit dhe klubit parisien kanë ngecur, duke hapur mundësinë për një largim të mundshëm gjatë afatit kalimtar veror.


Mayulu është aktualisht nën kontratë me PSG-në deri në vitin 2027.

Megjithatë, oferta e klubit për ta zgjatur marrëveshjen deri në vitin 2030 është refuzuar, për shkak të mospajtimeve mbi kushtet financiare dhe pagën e lojtarit.

PSG nuk dëshiron të rrezikojë humbjen e tij pa përfitim financiar, ndaj nëse nuk arrihet marrëveshje e re, klubi pritet të nisë negociatat për shitjen e tij me një çmim fillestar prej 60 milionë eurosh, i cili mund të rritet deri në 65–70 milionë euro.

Burime pranë klubit bëjnë me dije se përveç Arsenalit dhe Chelseat, edhe Manchester City po monitoron nga afër zhvillimet.

Ndërkohë, Tottenham Hotspur kishte shfaqur interes që në fillim të sezonit.

Arsenali e sheh Mayulu si një mesfushor modern, që mund të zërë vendin e Kai Havertz në projektin afatgjatë të skuadrës.

Nga ana tjetër, Chelsea synon ta përfshijë në procesin e rindërtimit të ekipit.

Edhe Aston Villa dhe Newcastle United kanë bërë qasje informale.

Raportet sugjerojnë se Arsenali ose Chelsea janë më pranë një lëvizjeje konkrete gjatë verës.

PSG pritet të bëjë një përpjekje të fundit për ta bindur lojtarin me një ofertë rekord page, por koha po mbaron.

Nëse deri në muajin maj nuk arrihet marrëveshje, drejtuesit parisienë mund të detyrohen të pranojnë shitjen e një prej talenteve më të mëdha të akademisë së tyre. /Telegrafi/

telegrafi sport app