Një person është arrestuar nën dyshimin se ka dërguar e-mail kërcënues ndaj Zyrës së Prokurorit të Shtetit, Policisë së Kosovës, Universitetit të shtetit e të tjera.

Lajmin e bën të ditur për Telegrafin nga zyra për media e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.


Në përgjigjen e tyre ndër të tjera thuhet se pas identifikimit të personit të dyshuar Prokurori i Shtetit ka autorizuar bastisjen e shtëpisë së tij ku janë sekuestruar disa mjetë me të cilat është realizuar vepra penale.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se i dyshuari V.D ka dërguar e-maili kërcënuese ndaj Zyrës së Prokurorit të Shtetit, Policisë së Kosovës, Universitetit të shtetit etj, kanë identifikuar personin e dyshuar si dhe me autorizimin e Prokurorit të shtetit kanë bastisur shtëpinë ku dhe janë sekuestruar disa mjete me të cilat është realizuar vepra penale”, kanë thënë nga Prokuroria.

Ndërkaq, Prokurori i shtetit  ka inicuar rastin si ''Kanosje'' bazuar nga neni 181 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Nga Prokuroria po ashtu thonë se më shumë informata nuk mund të ofrojnë pasi që mund të dëmtohet integritetit i hetimeve të rastit.

Arrestimin e personit të për përfshirje në veprën penale ‘kanosje’ e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

"Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, pas veprimeve hetimore disa mujore, në bashkërendim me Prokurorinë Themelore-Prishtinë, nën dyshimin se një i dyshuar është përfshirë në veprën penale ‘kanosje’, sot më 22.05.2025, ka zbatuar urdhëresën e gjykatës ku është zhvilluar kontrolli në një lokacion në Prishtinë. Gjatë kontrollit kanë asistuar edhe njësi tjera policore", thuhet në njoftim.

Policia thotë se personi i dyshuar, në mënyrë të vazhdueshme, përmes e-maileve ka dërguar mesazhe me përmbajtje kërcënuese në drejtim të institucioneve të Republikës së Kosovës si: Prokurorisë së Shtetit, Policisë së Kosovës, Universitetit të Prishtinës, si dhe në drejtim të zyrtarëve të këtyre institucioneve.

"Gjatë këtij operacioni policor është arrestuar i dyshuar, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale ‘kanosje’ dhe në cilësinë e provave materiale janë gjetur dhe janë sekuestruar pajisjet të cilat dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprës penale. Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: një laptop, një tablet dhe një telefon. I dyshuari me vendim të prokurorit ndalohet për 48 orë", njofton policia. /Telegrafi/