Arrestohet një grup kriminal në Shqipëri, akuzohen se në Spanjë vidhnin sende me vlerë

Policia e Shtetit ka goditur një grup kriminal të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, të akuzuar për vjedhje me armë zjarri dhe/ose dhunë ekstreme, të parave dhe sendeve me vlerë, në banesa në Spanjë.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se në kuadër të operacionit janë ndaluar pesë pjesëtarë të grupit (4, shtetas shqiptarë), si dhe janë sekuestruar 10 mijë e 590 euro, 4 ora dore të markave të shtrenjta dhe 1 automjet.
“Për zhvillimin e këtij operacioni, Njësia për Krimet Shëtitëse ‘Antiskifter’ në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar bashkëpunoi ngushtë, për rreth 2 vjet, me homologët spanjollë, nëpërmjet Oficerit Ndërlidhës në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë, në Madrid. Në vijim të këtij bashkëpunimi, në muajin janar 2026, Policia e Lezhës finalizoi operacionin e koduar ‘Aksi’, si rezultat i të cilit u kap njëri nga pjesëtarët e këtij grupi kriminal, shtetasi A. I”, thuet në njoftim.
Tutje thuhet se gjatë periudhës hetimore u ekzekutuan letërporosi për kryerjen e kontrolleve në disa ambiente në Shqipëri, në pronësi/përdorim të pjesëtarëve të grupit.
Vijon bashkëpunimi me homologët spanjollë, për kapjen e 2 pjesëtarëve të tjerë të këtij grupi, të shpallur në kërkim ndërkombëtar. /Telegrafi/





















































