Ish-prezantuesi i CNN, Don Lemon, është arrestuar pasi hyri në një kishë në Minnesota dhe filmoi protestuesit kundër zbatimit të ligjit kundër imigracionit, ndërsa ata ndërprisnin një shërbesë.

Lemon u mor në paraburgim nga agjentët federalë të enjten në mbrëmje, ndërsa ishte në Los Angeles duke mbuluar ceremoninë e ndarjes së çmimeve Grammy, sipas një deklarate nga avokatja e tij, Abbe Lowell.


"Doni do t'i luftojë këto akuza me forcë dhe tërësisht në gjykatë", tha avokatja.

Lemon shkoi në Kishën e Qyteteve në Shën Pali më 19 janar me një grup protestuesish të cilët thanë se një nga pastorët ishte një zyrtar i Zyrës së Imigracionit dhe Doganave (ICE).

"Doni ka qenë gazetar për 30 vjet dhe puna e tij e mbrojtur me kushtetutë në Minneapolis nuk ishte ndryshe nga ajo që ai ka bërë gjithmonë", tha Lowell.

“Ky sulm i paprecedentë ndaj Amendamentit të Parë dhe përpjekja transparente për të larguar vëmendjen nga krizat e shumta me të cilat përballet kjo administratë nuk do të qëndrojë”, shtoi ajo.



Në mbrojtje të tij, Lemon tha në një video të kohëve të fundit: "Sapo filloi protesta në kishë, ne bëmë një akt gazetarie, që ishte raportimi mbi të."

Administrata e presidentit Donald Trump fillimisht kërkoi të ngrinte padi ndaj tetë personave të përfshirë në protestën e kishës në Minensota, duke përmendur një ligj që mbron njerëzit në vendet e kultit.

Por një gjykatës i cili shqyrtoi provat e paraqitura nga departamenti i drejtësisë miratoi akuzat vetëm për tre nga të përfshirët, përveç Lemon.

Qeveria më pas kërkoi ta kundërshtonte atë vendim, por u refuzua nga një gjykatë apeli.

Protestat ishin pjesë e trazirave të vazhdueshme në Minnesota, ku një operacion nga agjentët federalë të imigracionit ka shkaktuar konfrontime që kanë lënë të vdekur dy qytetarë amerikanë. /Telegrafi/