Sipas burimeve të ORAinfo, polici Valon G. punon në Prishtinë në stacionin numër 4 dhe ka qenë në rroba civile kur dyshohet se ka bërë vrasjen në Skenderaj.

Para vrasjes, vrasësi me viktimën janë rrahur.


Ndërkohë, edhe zëdhënësi për informim i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, e ka konfirmuar faktin se kandidati i AAK-së, Bekim Birinxhiku, është vrarë nga një pjesëtarë i policisë së Kosovës.

“Po është e vërtet që viktima është vrarë nga një pjesëtarë i Policisë së Kosovës, mirëpo i cili ka qenë jashtë detyrës zyrtare dhe nuk ka të bëjë asgjë lidhur me ndonjë konflikt pune. Për tash kjo është e tëra që mund të them”, ka thënë Sadriu.

Burime të Indeksonline, zyrtari policor është vetëdorëzuar në stacionin policor në Skenderaj, ndërsa nga policia janë ndërmarrë të gjitha masat ligjore ndaj tij dhe arma është konfiskuar.

Lajmin e konfirmon edhe Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Sipas këtij portali, nga intervistimi preliminar i të dyshuarit, sipas të gjitha gjasave, viktima dhe i dyshuari kanë pasë mosmarrëveshje pronësore rreth një mali në afërsi të vendbanimit të tyre.

Sipas Zërit, polici V.G që dyshohet si autor i vrasjes e humbi karrierën për një konflikt që nuk ishte fare i tij, ndërsa bashkëshortja e policit është në pritje të fëmijës së parë, pas martesës në verë të këtij viti.

Banorët që e njohin Birinxhikun edhe policin V.G i tregojnë si njerëz të mirë, ndërsa fajin kryesisht për ngjarjen ia lënë miqve të policit të cilët kishin marrë borxh dru nga Birinxhiku, material që ata asnjëherë nuk e kanë paguar.

“Bekimi është marrë me shitjen e druve, ndërsa miqtë e policit i patën marrë dru për ndërtimin e kolovajzave në shtëpi, për fëmijët e tyre. Vlera e druve shkon deri në 800 euro. Kjo shumë asnjëherë Bekimit nuk i është paguar”, ka thënë për Zërin në kushte anonimiteti një i afërm i familjes së policit V.G.

Ndërkaq një dëshmitarë që e ka parë ngjarjen në tërësi që ka ndodhur në afërsi të xhamisë në Skenderaj, situatën e shpjegon kështu: “Gjatë përleshjes, viktima e ka nxjerr një shufër hekuri prej veturës së tij edhe e ka goditur policin. Nga çka pashë, atij iu thy dora. Më pas polici e ka nxjerr revolen edhe e ka qëllu viktimën”.

Avni Zahiti, zëdhënës rajonal i PK-së, në Skenderaj, ka konfirmuar për Zëri, se i dyshuari për vrasjen e Bekim Birinxhikun, polici, V.G. tashmë gjendet në spitalin rajonal, për shkak të lëndimeve që ka marrë nga viktima.

Sipas, Zahitit, polici V.G. është i lënduar në dorë me një mjetë të fortë. Ai nuk ka mundur të konfirmojë se si edhe si ka ardhur deri te rrahja, apo me çfarë mjeti është goditur polici apo kush e ka filluar i pari.
Zëri për herë të parë sjellë edhe fotografinë e viktimës. Viktima është në rreshtin e parë dhe tullac, ulur afër Ahmet Isufit (në anën e majtë të tij).

Zëri ka arritur të marrë edhe prononcimin e babait të tij, Ramadan Birinxhiku. Ai ka thënë se djali i tij dhe familja e tyre nuk i kanë pasur borxh askujt. E as me të dyshuarin për vrasje.

“As unë as Bekimi e as familja jonë nuk i ka pasur borxh askujt asnjëherë e as nuk kemi pasur fjalë të keqe me ndokënd. Me ata të fshatit nga vjen polici V.G. nuk kemi pas fjalë të keqe asnjëherë.”, ka rrëfyer babai i viktimës.

Demokracia në Veprim dënon ashpër vrasjen e kandidatit të AAK-së për asamble komunale të Skenderat, Bekim Birinxhiku.

Dnv i bën thirrje policisë që sa më shpejt që është e mundur të dal me të dhëna zyrtare për motivet që shkaktuan këtë akt tragjik në mënyrë që të mos ngris tensione në opinion në prag të ditës së zgjedhjeve. Po ashtu, DnV fton organet e rendit që personat që kanë shkaktuar aktin e vrasjes të dalin para drejtësisë.

DnV gjithashtu u bënë thirrje qytetarëve dhe subjekteve politike, që pavarësisht motiveve që kanë shkaktuar këtë rast, të mos ndikohen dhe të mos tensionojnë situatën në ditën e nesërme zgjedhore.

Edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dënon ashpër vrasjen e veteranit të luftës, Bekim Birinxhiku.

”Ky lajm i kobshëm ka tronditur të gjithë bashkëluftëtarët, me faktin që Bekimi ka qenë luftëtar i dalluar, që dy herë iu shpëtoi dhe plagëve të luftës. Apelojmë që organet e rendit, të zbardhin sa më shpejtë motivet e këtij akti kaq të ulët kriminal. Për shkak të ndjeshmërisë kohore, ne lusim të gjithë që të mos manipulojnë me këtë dhembje kaq të madhe dhe të presin prononcimin zyrtar të organeve”, thuhet në njoftim.

Me rastin e vrasjes së Birinxhikut, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ngushëllon familjen Birinxhiku.

Në tekstin e telegramit thuhet: “Me dhembje dhe pikëllim morëm lajmin për vrasjen e Bekimit, kandidat për asamble komunale të Skenderajt, në zgjedhjet e 3 nëntorit 2013. Pavarësisht shkaqeve dhe rrethanave, ky krim meriton që të denohet, që ka shuar një jetë njeriu në kulmin e energjive njerëzore. Institucionet dhe organet përkatëse duhet që sa më parë të sqarojnë motivet dhe rrethanat e kësaj vrasjeje, e cila ka prekur dhe lënduar ndjenjat e gjithë qytetarëve të Kosovës. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta”. /Zëri/ORAinfo/IndeksOnline/Telegrafi/

Artikull plotësues: Skenderaj, vritet kandidati i AAK-së për Asamble Komunale