Tre persona të mitur janë arrestuar më 30 shtator 2025 nga hetuesit policorë në veri të Mitrovicës, me dyshimin për përfshirje në veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Kanosje”. Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

Të arrestuarit janë identifikuar si: I.D., lindur në vitin 2010, J.S., lindur në vitin 2010 dhe V.M., lindur në vitin 2011.


Arrestimi i tyre ndodhi pas një hetimi të nisur për një rast të raportuar më 28 shtator, ku ankuesi deklaroi se ishte sulmuar fizikisht gjatë lëvizjes në rrugën “Lola Ribar” në veri.

Sipas raportit, personat e dyshuar gjithashtu kishin kanosur nipin e ankuesit, i cili është gjithashtu i mitur.

Pas sulmit, ankuesi ka pranuar trajtim mjekësor për lëndimet e marrë.

Pas arrestimit, të miturit janë intervistuar në përputhje me procedurat ligjore. Me urdhër të prokurorit të shtetit, ata janë liruar, por ndaj tyre janë iniciuar rastet për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Kanosje”.

Policia e Kosovës thekson përkushtimin e saj në luftimin e dhunës dhe ruajtjen e sigurisë së qytetarëve. Autoritetet i inkurajojnë qytetarët që të raportojnë çdo rast të ngjashëm për veprime të shpejta ligjore. /Telegrafi/