Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, e ka quajtur sukses arrestimin e Bojan Jevtiqit, zyrtarit policor, i dyshuar për spiunazh për llogari të BIA-s serbe.

Ai ka shkruar se ky është ndër rastet më të suksesshme e që tregojnë përkushtimin e institucioneve tona, transmeton Telegrafi.


"Arrestimi i Bojan Jevtiqit, zyrtar i Policisë së Kosovës, nën dyshimet për spiunazh për llogari të BIA-s serbe, është një nga rastet më serioze por edhe më të suksesshme në fushën e kundërzbulimit. Hetimet disa mujore nga AKI, prokuroria speciale tregojnë përkushtim dhe koordinim për të goditur rrjete të fshehta me prani në institucionet tona të sigurisë", tha ai përmes një postimi në Facebook.

Po ashtu, ai ka treguar se "Në posedim të Jevtiqit u gjetën edhe dokumente të Shoqatës Ndërkombëtare të Policisë (IPA), ku janë anëtare Serbia dhe Rusia, por jo Kosova".

"Kjo ngre dyshime për rrjete paralele komunikimi jashtë kanaleve zyrtare. Përfshirja e një zyrtari policor në këtë rast thekson nevojën për vigjilencë të shtuar institucionale ndaj rrjedhjes së informacioneve të ndjeshme", shtoi ai.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinion publik se ka përfunduar me sukses operacioni i filluar mëngjesin e së enjtes, ku nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “spinuazh”, është arrestuar togeri policor Bojan Jevtiq.

Hetimet e zhvilluara në bashkëpunim me Inspektoratin Policor dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë kanë rezultuar me ndalimin dhe arrestimin e të pandehurit për 48 orë.

“Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit në një fshat të Kamenicës janë sekuestruar prova materiale siç janë: dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, disa telefona të mençur, usb, një armë e shkurtër, municion, para të gatshme në vlerë prej 10.000 euro, 2 milionë dinarë serbë, 600 franga zvicerane dhe prova tjera të cilat do të ekzaminohen gjatë procedurës hetimore”, thuhet në njoftim./Telegrafi/