Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes Departamentit për Krime Ekonomike, ka zhvilluar një aksion ndaj zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti.

Sipas komunikatës për media, aksioni është realizuar më 27 janar 2026, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe në koordinim të plotë me Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke zbatuar masa të veçanta hetimore.


Gjatë zbatimit të këtyre masave janë shoqëruar tre persona, ndërsa një zyrtar i Komunës së Prishtinës, me inicialet A.G., është arrestuar në flagrancë për veprën penale marrje e ryshfetit, sipas nenit 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas Prokurorisë, arrestimi në flagrancë ka ndodhur me dyshimin se zyrtari i arrestuar kishte kërkuar apo pranuar ryshfet me qëllim që ta ndihmonte të dëmtuarin në realizimin e një pagese për punë që, sipas kontratës, tashmë ishin kryer për komunën.

Rasti është iniciuar për veprat penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 dhe marrja e ryshfetit nga neni 421 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa hetimet janë në vazhdim.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka inkurajuar qytetarët që të raportojnë të gjitha veprat penale që lidhen me korrupsionin, duke theksuar përkushtimin institucional në luftimin e kësaj dukurie. /Telegrafi/