Arrestimi i Bojan Jevtiq, drejtori i “Octopus” e cilëson goditje ndaj rrjeteve hibride të Serbisë

Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ka reaguar pas arrestimit të policit Bojan Jevtiq në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”, duke e cilësuar këtë si një sukses të madh për institucionet e sigurisë në Kosovë në përballje me kërcënimet hibride dhe veprimet destabilizuese të Serbisë.
Fetoshi theksoi se ky arrestim është dëshmi e qartë e profesionalizmit dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional.
“Neutralizimi i një agjenti tjetër sot dëshmon profesionalizmin, vendosmërinë dhe bashkëveprimin efikas të AKI-së, IPK-së dhe Prokurorisë së Posaçme, në përballje me agresionin jo konvencional të Serbisë,” shkroi ai në Facebook.
Sipas tij, infiltrimi i rrjeteve të spiunazhit në institucionet shtetërore është një nga kërcënimet më serioze ndaj sigurisë kombëtare dhe rendit kushtetues të Kosovës.
“Në zinxhirin e mekanizmave të luftës hibride, rrjeti i spiunëve dhe infiltrimi i tyre në institucionet shtetërore janë hallka më kërcënuese. Rasti i sotëm tregon se ata ekzistojnë, por tregon po ashtu se ata kapen, neutralizohen e ‘shkrumohen’ me hetim dhe filtrim profesional,” shtoi Fetoshi.
Rasti i Bojan Jevtiq është duke u hetuar nga autoritetet kompetente, ndërkohë që arrestimi i tij shihet si një hap i rëndësishëm në mbrojtjen e sovranitetit dhe sigurisë së vendit.


















































