Mohamed Salah është rikthyer në skuadrën e Liverpoolit për ndeshjen e së shtunës në Ligën Premier kundër Brighton në ‘Anfield’.

Përfshirja e sulmuesit egjiptian vjen pas diskutimeve pozitive midis tij dhe trajnerit Arne Slot në Kirkby sot, siç kanë konfirmuar burime të informuara mbi çështjen.


E ardhmja e Salah në Anfield u vu në dyshim pas komenteve të tij shpërthyese pas ndeshjes së fundjavës së kaluar ndaj Leeds United dhe përjashtimit të tij nga skuadra për ndeshjen e mesjavës në Champions League kundër Inter Milanit.

Vendimi u mor nga Slot, i cili veproi sipas asaj që ai beson se është në interesin më të mirë të ekipit.

Salah do të largohet pas ndeshjes së së shtunës për t’iu bashkuar kombëtares së Egjiptit për Kupën e Kombeve të Afrikës, dhe Liverpooli e sheh këtë periudhë ndarjeje si të rëndësishme për të adresuar më tej situatën aktuale.

Gjatë konferencës për shtyp të premten, Slot tha: “Do të kem një bisedë me Mo këtë mëngjes dhe rezultati i saj do të përcaktojë se si do të duket situata nesër”.

“Ajo që më duhet është një bisedë me të, dhe hera tjetër që do të flas për Mo duhet të jetë pasi të kem folur me të, jo këtu. Mund të vazhdoni të pyesni, por s’ka më shumë për të thënë”.

“Kemi folur shumë gjatë javës së fundit. Ka pasur shumë bisedime midis përfaqësuesve të tij dhe tanëve, mes përfaqësuesve tanë dhe tij, mes meje dhe tij, dhe sot do të flas sërish me të”.

Kur u pyet nëse ai dëshiron që sulmuesi egjiptian të qëndrojë në Liverpool, Slot tha: “Nuk kam asnjë arsye për të mos dashur që ai të qëndrojë”.

Reagimi i Salah pas përjashtimit të tij nga skuadra për të tretën ndeshje radhazi ishte i fortë, duke thënë se ishte “hedhur nën autobus” nga Liverpooli dhe se marrëdhënia e tij me Slot ishte prishur./Telegrafi/

telegrafi sport app