Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ka zbuluar skuadrën që sipas tij mund të ndalojë “Të Kuqtë” nga fitimi i një tjetër titulli të Ligës Premier këtë sezon.

Vetëm tre muaj pas ngritjes së trofeut në Anfield, Liverpooli nis sezonin 2025/26 të premten (15 gusht) mbrëma ndaj Bournemouth.


Për herë të parë pas disa vitesh, ata hyjnë në kampionat si favoritë për titullin, falë edhe përforcimeve të bujshme si Florian Wirtz, Hugo Ekitike dhe disa lojtarë të tjerë të nivelit të lartë.

Megjithatë, Slot paralajmëron se nuk janë vetëm ata pretendentë. Skuadra të mëdha si Arsenali i Mikel Artetës dhe Manchester City i Pep Guardiolës kanë përforcuar gjithashtu radhët këtë verë. Rikthimi i fituesit të Topit të Artë, Rodri, e bën City-n sërish një rrezik serioz për titullin.

Por, në një intervistë për talkSPORT, trajneri holandez befasoi kur tha se rivali më i madh për Liverpoolin mund të jetë Chelsea i Enzo Marescas.

“E prisja që ata të fitonin sezonin e kaluar. Kanë shumë cilësi dhe ishin të fortë në fillim të sezonit, duke qëndruar në garë deri në dhjetor,” tha Slot.

Chelsea, që këtë korrik fitoi Kupën e Botës për Klube, sipas Slot ka një skuadër të thellë, lojtarë cilësorë dhe një trajner të shkëlqyer.

“Ishte mirë për ne që ata patën një periudhë të vështirë sezonin e kaluar, gjë që i pengoi të luftonin deri në fund për titull. Por tani po forcohen përsëri dhe mendoj se do të jenë një nga rivalët kryesorë për kampionatin”, shtoi ai. /Telegrafi/

telegrafi sport app