Kuvendi i RMV-së sot, në kuadër të seancës së 121-të plenare, emëroi Arlinda Hasani Sinanin për zëvendësguvernatore të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Poashtu u votua për nevojën e miratimit të një ndryshimi në Ligjin për Mbështetje Financiare për Investime, si dhe 45 ndryshime dhe plotësime të tjera të ligjeve që janë të harmonizuara me Ligjin për Menaxherët e Lartë dhe miratohen me procedurë të shkurtuar.

Propozimin që Hasani Sinani të jetë Zëvendësguvernator i BPRMV-së e shpjegoi guvernatori Trajko Sllaveski, i cili tha se ajo është një profesioniste e shquar bankare, duke treguar detaje nga biografia e saj profesionale.


Me ndryshimin e Ligjit për Mbështetje Financiare për Investimet, përmes një procedure të shkurtuar, siç shpjegoi deputeti Zhan Drvoshanov, parashikohet që afati për lidhjen e kontratave të investimeve të zgjatet deri më 4 shtator, anekset e kontratave në vend të 31 korrikut mund të lidhen deri më 11 shtator, dhe pagesa e ndihmës shtetërore në vend të 31 gushtit do të jetë deri më 23 tetor.

Deputetët votuan sot për nevojën e miratimit të këtij ligji, pas së cilës ai duhet të kalojë filtrin e komisioneve përkatëse para se të kthehet në seancë plenare.

Deputetët votuan për ligjet për ratifikimin e Konventës për Byronë e Konferencës Evropiane të Aviacionit Civil, Protokollin midis Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Lituanisë për zbatimin e Marrëveshjes për ripranimin e personave që qëndrojnë pa autorizim, Marrëveshjen midis Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Sllovenisë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe Marrëveshjen midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës Portugeze për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes./Telegrafi/