Araujo mori një telefonatë nga ylli i Real Madridit pas luftës me ankthin dhe depresionin

Ylli i Barcelonës, Ronald Araujo, duket se është në rrugën e duhur pas një periudhe të vështirë 18-mujore, gjatë së cilës u përball me ankth dhe më pas me depresion.
Mbrojtësi uruguaian ka deklaruar se “më e keqja ka kaluar”, pas rikthimit të tij në fushë në muajin janar. Ai kishte marrë një pushim nga futbolli në dhjetor për t’u fokusuar në rikuperimin e tij mendor.
Qendërmbrojtësi kishte humbur vendin e titullarit te Barcelona dhe, pasi u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen ndaj Chelseat në fund të nëntorit, vendosi të ndalonte përkohësisht.
Araujo u rikthye në aksion në janar dhe javën e kaluar bëri startin e tij të parë kundër Albacete.

Në një intervistë të thelluar të martën, ai foli hapur për betejat e tij personale, duke theksuar se tashmë ndihet në një fazë ngritjeje dhe përmirësimi.
Edhe pse rivaliteti mes klubeve është shpesh i ashpër, mbi të gjitha lojtarët mbeten kolegë që e kuptojnë njëri-tjetrin.
Sipas Diario AS, gjatë periudhës së vështirë të Araujos, ai mori një telefonatë nga ylli i Real Madridit, Vinicius Junior, me të cilin është përballur shpesh në duele të zjarrta në fushë.

Në fund të vitit 2025, gjatë pushimit të tij nga futbolli, braziliani e kontaktoi për ta pyetur si ishte dhe për t’i ofruar mbështetje dhe inkurajim.
Pas finales së Superkupës së Spanjës, Araujo dhe Vinicius u panë duke u përqafuar, ashtu si edhe Dani Ceballos dhe Dani Carvajal, të cilët gjithashtu e pyetën për gjendjen e tij./Telegrafi/




















































