LAJMI I FUNDIT:

Apelet për ta shpëtuar poetin: Lasgushi, studenti i varfër që dergjej nga sëmundja

Apelet për ta shpëtuar poetin: Lasgushi, studenti i varfër që dergjej nga sëmundja

Një student shkroi te Shqipëri e Re se Lasgush Poradeci ishte sëmurë për shumë kohë, por vazhdoi studimet me shpirt ndër dhëmbë pa i shqetësuar miqtë. “Shpëtojeni se po shuhet”, ishte kërkesa. Lindur në 27 dhjetor 1899, Llazar Gusho – Lasgushi – ishte gati 29 vjeç dhe një dekadë mërgimtar kur u sëmur rëndë nga mushkëritë. Ai i shkroi (1) nga Graci poetit Aleksandër Stavre Drenova (Asdreni) në Bukuresht më 21 qershor 1927 se zemra nisi t’i dhembë përsëri. “Jam shumë i dobët. Në universitet kam 4 javë që nuk vete dot. Nesër do ta thërres prapë shëronjësin në shtëpi, dhe nëse nuk ka shpresë për më mirë, do të hyj fundi i fundit në spitale”, shënoi Llazari.

Ilirian Agolli


Ai u sëmur për herë të parë në Athinë nga dhimbjet e gjoksit (2) dhe u shtrua në sanatoriumin Shliman në gjendje të rëndë. I ati, Sotiri, e nisi ilegalisht nga viti 1916, pra 16 vjeç, për në Athinë për shkollën e mesme – Liceun Francez, me porosi të atit që të mos ndiqte shkolla greke. I ati ndërroi jetë pak pas kësaj dhe ai mbeti ngushtë nga financat. Lasgushi qëndroi në Greqi katër vjet, nga 1916 deri në 1920. Më 1920, i mbetur pa ndihma financiare dhe i sëmurë rëndë, i shkroi familjes për ndihmë. Por, edhe ata ishin ngushtë. Familja Gusho ishin katër vajza dhe katër djem. I vëllai e mori dhe e ktheu në shtëpi, ku iu fut punës dhe leximeve.

LASGUSHI I SËMURË RËNDË

Sëmundjet dhe varfëria nuk iu ndanë as gjatë emigrimit në Bukuresht e as gjatë studimeve në Grac. Ai i shkroi (3) sërish Asdrenit më 3 dhjetor 1927 se ishte ngushtë nga të hollat dhe ende nuk i kishte mbërritur bursat shtator 1927 – janar 1928, kur studentëve të tjerë iu kishin ardhur.

“Vetëm mua fatzinë, që jam i sëmurë, më ka lënë Ministria të vdes urie dhe së ftohti. Po rroj duke u hequr zvarrë s’di as vetë. I sëmurë prej kaq muajsh nga zemra, si rrjedhojë e anemisë së mëparshme, e shkaktuar dhe kjo nga nervat e tronditura pas punës së shumtë dhe ngrënies së keqe në vend të huaj pa shërbim dhe pa të holla”, shkroi Lasgushi.

Doktori urdhëroi një kurë supraalimentimi, pije tonike dhe qetësi shpirtërore, por ai i shkroi Asdrenit se “gjendja ime është një zi e shëmtuar, që m’i ngjeth kockat mua vetë”. Ai ironizoi rreth faktit se adhuruesit nuk dinin gjë rreth shëndetit të tij dhe madje e ftuan në Bukuresht “posa të bëhej më mirë”…

“Si të bëhem unë i mjeri më mirë, kur ha buk’e ujë në pikun e një sëmundje që kërkon supraalimentim dhe të pira tonike? Gazeta Shqipëri e Re botoi artikull pesë muaj pas sëmundjes time dhe pas 5 muaj të tjerë nga ai shkrim nuk kujtohet që sëmundja ime vazhdon… vazhdon… vazhdon dhjetë muaj… me muaj…”, shënoi ai.

Shëndeti i Lasgushit u përkeqësua dhe pas pesë muajsh të tjerë ai i shkroi (4) sërish Asdrenit nga Graci më 18 prill 1928 si të vetmit mik të afërt: “Nuk ngre dot kryet dhe nuk shkruaj dot asnjë letër sado të vogël, pas 12 muaj sëmurë”.

Ai i shkroi edhe Pandeli Evangjelit me lutjet të urdhëronte shtimin e bursës gjersa të shërohej, por ai nuk iu përgjigj fare.

“Për një njeri kardiak dhe anemik si unë, e nxehta është armiku më i ke… doktori më tha të shkoj ne verishtë, në një vend të freskët. Më ndihmo ti se im vëlla më refuzon çdo përkrahje me një kriminelëri morale (vëllai Vangjel Gusho, kapiten në Ushtrinë rumune)”, iu lut ai Asdrenit.

Letra e parë publike, që njoftoi në shtyp se Lasgushi ishte sëmurë rëndë në Austri erdhi nga Bukureshti (5) dhe u botua në Durrës te Shekulli i Ri në gusht 1928. Studentët shqiptarë të Vjenës bënë të ditur se ai vuante prej kohësh, por atë qershor ra i sëmurë në spitalin Genesungheim “Pichlschloss” bei Neumarkt në Austri. Bursa e Ministrisë nuk i mjaftoi të paguajë taksën e spitalit, ku duhet të rrinte të paktën dy muaj. Me bursën e dy muajve ai pagoi taksën spitalore për një muaj, ndryshe mund të mbetej rrugëve.

NDIHMAT E VONUARA

“Shpëtojeni se po shuhet. Mblidhni sa më shpejt një shumë dhe dërgojani para 15 gushtit, dita kur mbaron muaji i parë në Sanator, se ndryshe e flakin jashtë si qenin”, shkruan të tronditur studentët për shtypin dhe ministrinë e arsimit.

Letra e tyre i ra në dorë Gjergj Bubanit, i cili shtoi edhe njohjen e tij me poetin e veçantë pesë vjet më parë në një natë të ftohtë të dimrit 1923, kur i mbështjellë në pallton e vjetër, në një qoshe të “Brasserise de la Paix”, me flokë të pakrehur, me kravatën të lidhur shtrembër, me sy të flagosura, ai lexoi për herë të parë vjershat e tij, këngë dhimbje e dashurie.

“Vjershat e Lasgushit aq të bukura na nxorën lotë prej syve dhe na lanë tingëllim të rrënjosur thellë në zemrat tona”, shkroi Bubani, i cili tregoi se si Lasgushi më parë u bë i njohur në Rumani nga revista Dodona, që i botoi vjershat e tij në ballë. Pastaj emri i Lasgushit kapërceu kufijtë e Rumanisë dhe e mësuan gjithë shqiptarët.

Poezitë e para “Poradeci”, “Këngë Pleqërishte” dhe “Ti po vjen që prej së largu” ai i shkroi qysh 20 vjeç, para se të fillonte studimet e larta. Lasgushi e mbaroi liceun në Bukuresht dhe u regjistrua në universitet për të studiuar filozofi dhe letërsi. Më pas shkoi për studime letërsie në Grac si bursier i shtetit.

Një tjetër letër u botua (6) dy javë më pas në Shqipëri për shëndetin e tij të shkatërruar. Milto Gurra iu lut Ministrisë së Arsimit, që të kujdesej për shëndetin e studentit të vlefshëm, por edhe qytetarët duhej të merrnin pjesë në këtë çështje.

“Kjo është një detyrë njerëzore, vëllazërie dhe duhet t’i vijmë në ndihmë sa më shpejt. Ndihma jonë do ta gëzojë dhe do ta ngrejë nga shtrati”, theksoi ai, duke propozuar që Bashkia e Pogradecit të formonte një komision me dy tre-vetë dhe të mblidhte ndihma nga shqiptarët, intelektualë, tregtarë dhe nëpunës dhe t’i dërgohen telegrafisht.

Gurra i dërgoi poetit një ndihmë 20 franga përmes Bashkisë dhe u bëri thirrje shqiptarëve të Evropës dhe të Amerikës “për të shpëtuar sa më shpejt poetin e ëmbël”.

Lasgushi i dërgoi nga Graci Ministrisë së Arsimit në Tiranë në korrik 1928 raportin mjekësor, ku doktori shkroi se ai duhej trajtuar për shumë muaj, për të patur një përmirësim efektiv të sëmundjes. Por, bursa nuk erdhi për tre muaj dhe as ndonjë përgjigje për lutjet e tij lidhur me mjekimin. Në tetor Lasgushi i shkroi (7) Asdrenit se nuk kishte të paguante jetesën dhe mjekimet.

“Shqiptarët mirëbërës s’duan të tunden, dhe Ministria as e çan kokën fare. Nuk jam aq i marrë sa të besoj se do të lëvizja ndonjë herë prej vendit mëshirën e të pamëshirshmëve”, shkroi ai.

FUSHATË NDIHMASH PËR STUDENTIN E SËMURË

Por, Lasgushi kaloi edhe dy muaj të tjerë i sëmurë e pa të holla, derisa e përzunë të pamjekuar nga spitali. Pikërisht atëherë qeveria dhe qindra shqiptarë u përfshinë në fushatën për të mbështetur mjekimin e tij. Zoi Xoxa dhe Mihal Sherko i adhuronin krijimet e para të poetit, ndaj ndërmorën te Gazeta e Re një nga fushatat më të mëdha gazetareske për mbledhje fondesh. Sëmundja e poetit të ri ishte titull kryesor për javë të tëra në gazetën ku ata punonin.

“Studenti gjenial Llazi Gusho po vuan në Gratz (8) dhe doli i pamjekuar nga sanatoriumi”, ndaj Xoxa dhe Sherko shkruan se poezitë gjeniale të Lasgushit mallëngjejnë çdo lexues dhe e bënë autor të dashur dhe të admiruar prej të gjithë atyre që kuptojnë dhe dinë t’i çmojnë këto mendje të rralla. Ata cituan një letër të ardhur në redaksi nga një student shqiptar në Austri, sipas të cilit, Lasgushi doli nga sanatoriumi për mungesë të hollash dhe u mbyll në Grac, ndërsa drejtori i sanatoriumit i mbajti peng valixhen me roba: “Kur filloi i ftohti në Gratz, Llazi Gusho i dërgoi një letër drejtorit të sanatoriumit që t’i dërgojë ndonjë këmishë dhe nja dy fanella prej rrobave që ishin peng atje, sepse nuk kishte me se të vishej. Bukën (më të shumtën qumësht) deri tani ia ka dhënë për sevap e zonja e shtëpisë, me shpresë se do t’i vijnë të hollat nga Shqipëria dhe Llazi Gusho do ta paguajë”, njoftoi studenti nga Austria.

Dy gazetarët e botuan letrën me thirrjen retorike: “Aq poshtë vallë paskemi rënë sa të lëmë Lasgush Poradecin të vërë peng valixhen e tij dhe të mos ketë një këmishë në trup?”.

Më pas kërkuan hapur që Ministria e Arsimit ta shpëtonte nga mjerimi poetin, i cili shquhej më tepër nga të tjerët për vullnetin e hekurt dhe cilësitë e rralla, që i kish falur natyra. Jo vetëm kaq, por nëse autoritetet nuk përkrahnin gjeninë krijuese të këtyre njerëzve të shquar, “bota mund të konsiderojë shqiptarët si njerëz që nuk dinë ose nuk duan të futin dritën e gjallë të kulturës në vend, ndaj nuk u duhej lënë të huajve ky mendim të gabuar për nderin e kombit”.

Vetëm tre ditë më pas qeveria i dërgoi urgjent (9) studentit të sëmurë 1,000 franga, sipas Gazetës së Re, sepse Ministria e Arsimit nuk kishte më fonde për ndihmë. Dr. Sherko njoftoi kryeministrin Koço Kotta dhe ky ia dërgoi paratë.

NDIHMA E PAMJAFTUAR

Nga mesi i janarit 1929 Lasgushit të dobësuar i mbërrijnë të hollat e para. Ai e falënderoi (10) Asdrenin nga Graci për të hollat që mblodhi për të dhe për njoftimin se një mijë frangat erdhën nga Ministria e Brendshme: “Nuk mora vesh kush m’i dërgoi ato të holla. Gazetat nuk i kam parë me sy dhe as m’u dërgua ndonjë copë shkresë nga ana e dërgonjësit. Me ato një mijë franga nuk munda të bëj ndonjë punë të madhe; i prisha për tre ditë, lava borxhet, mora medikamente për gjashtë javë, bleva fanella, brekë, çorape, këpucë, shallë, dhe mbeta prapë me duar të thata. Kjo është e vërteta ime e zezë. Me një mijë fr. ergjënd nuk shpëtohet një jetë njeriu; me një mijë fr ërgjënd ngordh urije dhe një frymë qeni”, shkroi Lasgushi. Ai i tregoi Asdrenit se më 29 dhjetor u nis me tren të kthehej te nëna në Shqipëri, i shoqëruar nga një studenti i Vienës. Por 4 orë larg Grazit u sëmur dhe u ndal në stacionin e parë. Të nesërmen u kthyen prapë në Graz, ku u sëmur tre herë më keq.

Edhe dr. Sherko i çoi një ndihmë Lasgushit nga fondet e shtypit. Thirrjes për të ndihmuar poetin e sëmurë iu përgjigjën disa shqiptarë nga Bukureshti; z. Sotiriu me 4,000 lei, z. Evangjeli me 1,000 lei dhe z. Mihal Xoxe me 1,000 lei. Shoqëria e Studentave Shqiptarë organizoi një fushatë në Konstancë dhe u çel një listë ndihmash. Letrat e shokëve studentë në gazeta e mbajtën gjallë fushatën e ndihmave për të. Një koleg i tij shkroi (11) te Shqipëri e Re se Lasgushi ishte sëmurë për shumë kohë, por vazhdoi studimet me shpirt ndër dhëmbë pa i shqetësuar miqtë.

“Lëngoi disa muaj te familja, ku banonte, por nuk u përmirësua. Tani është sëmurë dhe i harruar prej gjithkujt”, theksoi autori. Bursën e shtetit e harxhoi për taksat spitalore, drejtori e nxori jashtë të pashëruar, asnjë ndihmë nuk i erdhi për disa muaj dhe Lasgushi lëngonte me borxhe në një shtëpi me qera. “Bëni sa më shpejt një sakrificë të vogël materiale për poetin e gjorë. Kolonia shqiptare në Rumani të ngrejë komisione ndihmash në çdo qytet, dhe çdo shqiptar me ndjenja njerëzore mund të japë atij një ndihmë të vogël, duke thënë: Po pi sot një shishe birrë më pak”, shkroi studenti, duke theksuar se Lasgushi po lartëson letërsinë kombëtare, dhe se kur ai të botonte veprat e tij, çdo shqiptar do të krenohej me të.

Lasgush Poradeci ishte nisur për në Shqipëri, i përcjellë nga studenti Skënder Luarasi. Erdhën bashkë nga Graci në Friesh, po Lasgushi u kthye, sepse nervat e tij të shkatërruara nuk duronin dot lëkundjet e trenit dhe të ftohtët e kohës. Sipas këshillave të doktorit, mund të kthehej në Shqipëri vetëm pasi të kurohej për tre a katër muaj. Me ndihmën që i dërgoi kryeministria, pagoi borxhet që kishte në Sanatorium.

Xoxa dhe Sherko e panë Lasgushin si një poet me vlerë të madhe, ndaj i dhanë përkrahje morale dhe materiale, që të mos vuante dhe të shkruante pa tronditje shpirtërore. Nuk kishin rëndësi disa provime, apo nëse do të zgjateshin edhe një vit studimet e tij, por ai duhej të krijonte sa më shumë letërsi. Zoi shkoi në Ministrinë e Arsimit dhe e bindi Hil Mosin që të bënte një përjashtim për Lasgushin dhe t’i jepte bursën. Por, sipas tij, në ato kushte ishin edhe studentë të tjerë dhe nuk mund të bënte përjashtime. Ata i shpjeguan (12) se “Shqipëria ka pak vjershëtorë në kuptimin e plotë të fjalës. Toskëria ka nxjerrë vjershëtorë me forcë të madhe poetike Andon Zako Çajupin dhe Lasgush Poradecin. Na vjen keq ta humbasim këtë djalë të ri gjenial, sepse një sëmundje e pamëshirshme rëndon mbi këtë të mjerë dhe një vobektësi e madhe e ka lënë midis rrugëve”, shkruan ata.

Pasi Kryeministria i dërgoi një ndihmë prej 1,000 fr.ari, ata menduan se shqiptarët me kulturë në kryeqytet dhe gjetkë do të jepnin ndihmën e tyre për shpëtimin e poetit, i cili nuk kërkoi mëshirë, por përgatiti një vëllim poetik me ndihmën e disa shokëve studentë në universitetet e Austrisë. Libri mund të përmbushte nevojën e madhe financiare për mjekim të autorit të mbetur në shtrat, ndaj Gazeta e Re hapi një fushatë parapagimesh për vëllimin 150 faqesh me çmim 2.50 franga ari.

FUSHATA E NDIHMAVE VAZHDON NËPËR QYTETE

Ndër të parët që reagoi për fushatën në ndihmë të Lasgushit ishte koloneli Xhemal Aranitasi, komandanti i Ushtrisë. Ai u dërgoi një qarkore (13) gjithë zyrave ushtarake të vendit, ku shpjegoi sëmundjen e poetit dhe kërkoi bashkëpunimin e të gjithëve për shpëtimin e vjershëtorit tonë të ri, për shëndetin e autorit të vjershës “Kroj i Poradecit”. Komandant Aranitasi iu bëri thirrje ndërgjegjes personale dhe kombëtare të ushtarakëve, që t’i bashkohen fushatës së Gazetës së Re për mbledhje ndihmash për poetin. Ai njoftoi se autori ka përgatitur një vëllim poetik prej 125 faqesh prej 2.50 franga ari, “shumë për ata që çmojnë qëllimin atdhedashës të kësaj fushate dhe për ata që dëshirojnë të zbukurojnë Bibliotekën e tyre me një të tillë vepër”, shkroi komandanti, duke theksuar se ata që donin të jepnin ndihmë më të madhe se 10 franga ari, do të kishin librin me nënshkrimin origjinal të autorit. Komandat dhe zyrat ushtarake dërguan lista me firma të personelit, që e dëshironin librin dhe të hollat do t’i jepnin me marrjen e vëllimit.

Urdhri i Komandant Aranitasit bëri një përshtypje të madhe në shtyp dhe në opinionin publik.

“Nuk na e priste kurrë mendja që njerëz të mësuar me pushkë në dorë të interesoheshin edhe për… vjershëtorë”, shkroi (14) dr. Sherko te Gazeta e Re, “por dihet se në luftërat për Atdhe vjershëtorët luajnë një rol vërtet me shumë rëndësi”.

Pasi komandanti Aranitasi ftoi njerëzit e pushkëve të ndihmojnë bujarisht poetin Lasgush Poradeci, autori theksoi se “Ushtria shqiptare e kupton forcën e poezisë, ushqen ndjenja të larta fisnike dhe nuk është një vegël e verbër, por një mbrojtëse plot ndërgjegje e të drejtave kombëtare”.

Qarkorja e ushtrisë bëri një përshtypje të madhe edhe në qarqet fetare. Zëvendësi i përgjithshëm i Mitropolitit të Gjirokastrës, Ikonom Papa Thanasi, i shkroi (15) komandantit Aranitasi, sipas Gazeta e Re, se ishte mallëngjyer pa masë nga qarkorja për poetin kombëtar Lasgush Poradeci. Ai mbylli në letër 20 franga ari dhe iu lut që ato të bashkoheshin me ndihmat e tjera, duke e vlerësuar lart veprën bujare të komandantit, i cili shfaqet me “një shpirt fisnik e madhështor dhe të mbushur me ndjenja filantropike”.

Gazeta u kërkoi korrespondentëve nëpër qytete të hapnin lista për fushatën e ndihmave nga prefekti deri te nxënësit e shkollave. “Kësaj fushate duam t’i japim më tepër një kuptim moral, prandaj dëshirojmë të mos mbetet shqiptar pa nënshkruar. Të tregojmë përpara botës së qytetëruar se për një fushatë fisnike jemi kurdoherë solidarë dhe se për një qëllim të tillë nuk e kursejmë lekun tonë”, theksoi autori.

LISTA E ATYRE QË NDIHMUAN

Pas 20 frangave ari nga prifti, lista e parë (16) u botua në faqet e shtypit: Mihal Sherko dhe Mehdi Frashëri dhuruan 20 fr.ari, Thoma P.Pano, Ihsan Leskoviku, Fazlli Frashëri, dr.Zoi Xoxa 10 fr.ari, Nebil Çika dhe Anastas Frashëri 5 fr.ari/ gjithsej 110 fr.ari. Pas tre ditësh u botua (17) edhe një listë tjetër, ku 30 fr.ar u dhuruan pa emër: Said Toptani, dr. Kemal Naziri, Ahmet Hastopalli 20 fr.ari, prof. Karl Gurakuqi, Lazër Çetta 10 fr.ari. Lista e deputetëve ishte (18) më e gjatë dhe më e pasur: Jak Koçi, Xhafer Ypi, Hysen Vrioni 20 fr.ari, Javer Hurshidi, Zija Toptani, Sh.Alltuni, S.Starova, S.Shaska, H. Toska, F. Vokopola, A.Krosi, Ll.Bimbli, M.Kapidani, K.Deda, K.Kosturi, F.Alizoti, K. Radovicka 10 fr.ari, R.Mati, F.Rusi, H. Papadhopulo, V.Rusi, H.Myftiu, S.Poga, I. Xhindi, Hafer Xhemali 5 fr.ari / gjithsej 240. Sipas bashkëpunëtorëve të gazetës (19) në krahina, gjithë arsimtarët e prefekturave Dibër dhe Elbasan u nënshkruan për blerjen e librit me çmimin 2.50 fr.ai sapo të dilte në dritë. Po kështu deklaruan mësuesit në Korçë, Vlorë, Gjirokastër, Berat etj.

Lista me dhurues u botuan (20) rregullisht te Gazeta e Re. Ahmet Hastopalli pagoi përsëri 20 fr.ari, Bexhet Frashëri dhuroi 10, ndërsa Qani Dishnica dhe Tefik Mborja secili nga 5 fr.ar. Listat shëtitën në zyra, në rrugë dhe në tregje. Djemtë Hazër Tufa, Xhemal Farka dhe Burhan Mulloji e shëtitën listën në treg dhe në pak orë mblodhën mbi 70 fr.ari, si ndihma për poetin: Konvikti “Naim Frashëri” 20 fr.ari, Palok Berisha dhe Athanas Shundi dhuruan secili nga 5 fr.ari, Hamdi Kërçiku, Stefan Koja, Ali Bakiu, Gafur Dibra dhe Kristo Floqi dhuruan nga 3 fr.ari, Zyber Preza, Beqir Sukniqi e vëllai, Ymer Gjinali, Luigj Shala, Izedin Beshiri, Abedin Hoxha, Spiridon Kacarosi, Musa Vathi dhe Qazim Tugu nga 2 fr.ari, Riza Ranxhi, Bedri Llagami, Zakaria Rama, Qamil Dibra, Ali Kaceli, Kol Guga, Rexhep Pazari, Q. Xhepa dhe Ibrahim Frashëri nga 1 fr.ari / deri këtu gjithsej 502 fr.ari. Gazeta e Re ia nisi (21) poetit çekun e parë bankar me 400 fr.ari në fillim të shkurtit, por theksoi se ai kish nevojë për mjekime mbi 800 fr.ar. Redaksia tërhoqi vëmendjen se si përballë këtij reagimi të gjerë qytetar për të ndihmuar poetin, për paradoks, në nismën tjetër (22) për të themeluar një qark intelektualësh erdhën vetëm 15-20 aderime, kur vetëm kryeqyteti kishte mbi 150 intelektualë.

Asdreni i shkroi (23) Lasgushit nga Bukureshti më 14 shkurt 1929 se në gazetat e Tiranës dhe posaçërisht në Gazetën e Re të Zoi Xoxes u hap një fushatë për të shtypur vëllimin e tij poetik. “Do të ishte e arsyeshme që ato 3 a 4 qind fr. të mbledhura t’i dërgonin aty të shërohesh, pastaj për librin do të ishte punë më e lehtë. Më mirë të shtypet libri dhe shtypshkronja t’i marrë paratë më vonë pas shitjes. Më parë shëndeti dhe jeta, se libri mund të dalë edhe pa të hollat e dhëna qysh në krye”, shkroi Asdreni.

Edhe shoqëritë muzikale dhe teatrore të Korçës e përkrahën (24) nismën e Gazetës së Re që të përgatitnin koncerte për të ndihmuar shërimin e Lasgush Poradecit me paratë e biletave. Me nismën e drejtorit të shkollës Thoma Avrami, në Korçë u përgatit një koncert me kore djemsh e vajzash të shkollave të përgatitur nga mësuesit e muzikës Jorgji Kroji dhe Pandeli Bogadini. Po ashtu morën pjesë banda muzikore e bashkisë dhe mandolinata e Shoqërisë Muzikale “Lyra”. /Milosao/

Shënime:
1. Poradeci, Lasgush. Vepra V. Korrespondenca Asdren – Lasgush. Tiranë 2012, faqe 35.
2. Kabashi, dr.Emin. Poradeci, Lasgush. Jeta dhe Vepra. Prishtinë 1997, faqe 13-16.
3. Poradeci, Lasgush. Vepra V. Korrespondenca Asdren – Lasgush. Tiranë 2012, faqe 39 – 41.
4. Poradeci, Lasgush. Vepra V. Korrespondenca Asdren – Lasgush. Tiranë 2012, faqe 43 – 46.
5. Bubani. Gjergj. Letra nga Rumania. Poeti Lasgush Poradeci rëndë i sëmurë po shuhet. Një lutje ministrisë së arsimit. Shekulli i Ri, nr. 48, 1928, 23 gusht, faqe 3.
6. Atdhetari. (pseudonim- Milto Sotir Gurra). Për poetin shqiptar Lasgush Poradeci. Gazeta e Korçës, nr. 536, 1928, 8 shtator, faqe 2-3.
7. Poradeci, Lasgush. Vepra V. Korrespondenca Asdren – Lasgush. Tiranë 2012, faqe 49.
8. Një student gjenial po vuan. Gazeta e Re, nr.6, e mërkurë, 7 nëntor 1928, faqe 2.
9. Zotit Llazi Gusho iu dërguan 1000 fr.ari, Gazeta e Re, nr.10, e diel, 11 nëntor 1928, faqe 2.
10. Poradeci, Lasgush. Vepra V. Korrespondenca Asdren – Lasgush. Tiranë 2012, faqe 53 – 54.
11. Nji Koleg. Letra nga Gratz-i. Dy fjalë mbi vjershëtorin Lasgush Poradeci. Shqipëri e Re, nr. 347, 1928, 28 nëntor, faqe 3.
12. Tryeza e bisedimit. (Për Lasgush Poradecin. – Bujaria e kryeministrisë. – Hapim një fushatë. – Gjendja e tij shëndetësore), Gazeta e Re, 9 janar 1929, nr.56, faqe 2.
13. Aranitasi, Xhemal. Komanda e Fuqisë Armate për Vjershëtorin Lasgush Poradeci. Qarkore. Gazeta e Re, 13 janar 1929, nr.60, faqe 6.
14. Një qarkore e Komandës së P. të Fuqisë Armate. Vjershëtorët dhe njerëzit e armëve. Gazeta e Re, 13 janar 1929, nr.60, faqe 2.
15. Për Lasgush Poradecin Mitropolia e Shenjtë, Gjirokastër, Gazeta e Re, nr.81, 7 shkurt 1929, faqe 2.
16. Lista e parë e dhurimeve për vjershëtorin Lasgush Poradeci. Gazeta e Re, 13 janar 1929, nr.60, faqe 2.
17. Për Vjershëtorin Lasgush Poradeci. Gazeta e Re nr. 61, 15 janar 1929, faqe 2.
18. Për Lasgushin, lista e dhurimeve vazhdon… Gazeta e Re, nr.70, 25 janar 1929, faqe 2.
19. Fushata për librin e vjershëtorit kombëtar – Lasgush Poradeci vazhdon. Gazeta e Re, nr.73, 29 janar, 1929, faqe 3.
20. Për Lasgush Poradecin. Lista me ndihma. Gazeta e Re, nr.77, 2 shkurt 1929, faqe 3.
21. Tryeza e bisedimeve. Koncert në Korçë për Lasgush Poradecin. Gazeta e re, nr.81, 7 shkurt 1929, faqe 2.
22. Për shoqërinë e Intelektualëve dhe për Lasgush Poradecin. Gazeta e Re, 24 janar, 1929, faqe 2.
23. Poradeci, Lasgush. Vepra V. Korrespondenca Asdren – Lasgush. Tiranë 2012, faqe 55.
24. Tryeza e bisedimeve. Koncert në Korçë për Lasgush Poradecin. Gazeta e re, nr.81, 7 shkurt 1929, faqe 2.