LAJMI I FUNDIT:

Annie Ernaux fiton Nobelin për Letërsi

Annie Ernaux fiton Nobelin për Letërsi

Çmimi Nobel për Letërsi për vitin 2022 i jepet autores franceze Annie Ernaux.

“Fituesja e Nobelit për letërsinë 2022, Annie Ernaux, beson në forcën çliruese të shkrimit. Puna e saj është pa kompromis dhe e shkruar në gjuhë të thjeshtë”, thuhet në njoftim. “Çmimi jepet për guximin dhe mprehtësinë me të cilën ajo zbulon rrënjët, të huajt dhe kufizimet kolektive të kujtesës personale”.


Çmimi ndahet nga Akademia Suedeze dhe kap vlerën e 10 milionë koronave suedeze (920 mijë euro).

Kronikat e jetës së përditshme të shkruara nga Ernaux, bënë që ajo në Francë të vlerësohet si një nga shkrimtaret më të mëdha të vendit. “Është puna e një romancieri të thotë të vërtetën”, ka thënë ajo.

Shkrimtari i fundit francez që fitoi Nobelin për Letërsi ishte Patrick Modiano, në vitin 2014. Deri tash, 16 shkrimtarë francezë kanë fituar këtë çmim. Ernaux është gruaja e gjashtëmbëdhjetë që fitoi Nobelin për Letërsi, në nivel global.

Vitin e kaluar, Nobelin për Letërsi e fitoi romancieri i Tanzanisë, Abdulrazak Gurnah.

Çmimet Nobel ndahen që nga viti 1901, duke vlerësuar arritjet në letërsi, shkencë, paqe dhe më vonë në ekonomi.

Fituesit e mëparshëm të Nobelit për Letërsi ishin novelistët si Ernest Hemingway, Gabriel Garcia Marquez dhe Toni Morrison, poetët si Louise Gluck, Pablo Neruda, Joseph Brodsky dhe Rabindranath Tagore, dhe dramaturgët Harold Pinter dhe Eugene O’Neill.

Ky çmim gjithmonë është shoqëruar me kontroversa, që nga kohët kur Leon Tolstoy dhe Henrik Ibsen, George Orwell dhe James Joyce, Virginia Woof dhe sa e sa nuk e fituan këtë çmim. Kontroversa të mëdha kanë shkaktuar edhe emrat e Harold Pinterit dhe Peter Handke që kanë mbështetur politikat e Slobodan Milosheviqit. /Telegrafi/