“Andor”: Stalini i ri gangster, si frymëzim për serinë e re të "Luftës së Yjeve"

Nga: Stephen Dowling / BBC (titulli origjinal: Andor: How the 'gangster' years of the young Joseph Stalin inspired the gritty Star Wars series)
Përkthimi: Telegrafi.com
Ka të gjitha elementet e një grabitjeje të përkryer.
Plani zhvillohet larg qendrës së pushtetit perandorak, në skajet e egra të një perandorie thuajse të pakapshme për mendjen. Të shtyrë nga zelli revolucionar, komplotistët janë një grup i përbërë nga burra e gra - përfshirë hajdutë, vrasës dhe tradhtarë. Çmimi i tyre? Arka e parave që mund të financojë misionet gjithnjë e më të guximshme kundër elitës së urryer sunduese.
Nëse e keni parë sezonin e parë të serialit televiziv Andori [Andor], një vazhdim i Luftës së Yjeve [Star Wars], do ta njihni këtë moment si një nga pikat kulmore të skenarit. Në tri episode, antiheroi Kasian Andor (Diego Luna) dhe banda e tij fshihen në kalimet malore të planetit Aldani, duke përpunuar një grabitje të guximshme të një garnizoni perandorak që ruan pagat e një sektori të tërë.
Grabitja reale që frymëzoi këtë ngjarje ndodhi gjithashtu shumë kohë më parë - edhe pse jo aq larg në hapësirë.

Ngjarja ndodhi më 26 qershor 1907, në Sheshin Jerevan, në qytetin e atëhershëm perandorak rus Tiflis - sot kryeqyteti i Gjeorgjisë, Tbilisi. Një sasi e madhe parash për degën lokale të bankës shtetërore ruse, rreth 300 mijë rubla - rreth një milion dollarë në atë kohë [vlera e përafërt e 30 milionë eurove më 2025], u grabit nga një bandë hajdutësh të lidhur me lëvizjen revolucionare bolshevike. Duke përdorur bomba dhe armë zjarri, banda la pas një skenë të shkatërrimit total; rreth 40 njerëz u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. Lajmi për këtë sulm të guximshëm, në mes të ditës, bëri jehonë në mediat botërore.
Grabitja ishte ideuar nga djali karizmatik i një këpucari, i kthyer në revolucionar, me emrin Ioseb Besarionis dze Jughashvili. Ai ishte orator i talentuar, një ish-student seminari ortodoks dhe një poet romantik për të cilin thuhej se kishte lënë pas vetes shumë zemra të thyera. Shpesh njihej me nofkën "Soso" (të cilën e përdorte kur shkruante poezi për botimet lokale), por në vitet në vijim do të bëhej shumë më i njohur - dhe i frikshëm - me emrin Joseph Stalin.
Po, i jashtëligjshmi problematik që pëlqehet nga adhuruesit e Luftës së Yjeve anembanë botës është pjesërisht i bazuar në një nga vrasësit më famëkeq të historisë - siç ka pranuar edhe krijuesi i serisë, Tony Gilroy. "Nëse sheh një foto të Stalinit të ri, a nuk duket glamuroz"? - ka thënë Gilroy në një intervistë për revistën Rolling Stone në vitin 2022. "Duket si Diego"!

Stalini e çoi Rusinë nga një perandori e rrënuar nga lufta, në një superfuqi bërthamore brenda vetëm tre dekadash, por gjithashtu sundoi me një regjim terrori autoritar, duke lënë në uri, duke ekzekutuar ose burgosur miliona qytetarë të vet. Janë shkruar pafund libra mbi vitet e tij mizore në pushtet, por shumë pak mbi vitet e para të jetës së tij. Autori Simon Sebag Montefiore pa një boshllëk të tillë dhe filloi të hulumtonte arkivat në vendet post-sovjetike, për të ndarë të vërtetën nga miti dhe për të treguar historinë pak të njohur të jetës së hershme të Stalinit.
Në vitin 2007 - një shekull pas grabitjes famëkeqe në Tiflis - u botua libri Stalini i ri [Young Stalin]. Ai hulumton jetën e hershme të diktatorit të ardhshëm të Bashkimit Sovjetik. “A duhet që jeta e një përbindëshi me zemër të zezë, e një vrasësi masiv që ishte më i ligu ndër përbindëshat e shekullit XX, të jetë kaq argëtuese”? - ishte pyetja që shtroi një recension në javoren The Observer në atë kohë.
Një nga ata që lexoi Stalinin e Ri ishte Tony Gilroy. Skenaristi dhe producenti i cili kishte shkruar katër filmat e parë të serisë Born [Bourne] dhe filmin pararendës të Andorit, Mashtruesi-1 [Rogue One], po planifikonte një serial televiziv që do të eksploronte rrugëtimin e Kasian Andorit nga një hajdut rastësor në një figurë simbolike të rebelimit. Historia e vërtetë e një lëvizjeje revolucionare në skajet e një perandorie reale i dha Gilroyt materialin frymëzues. “Jam, në kuptimin klasik, ai burri i thinjur që s’ngopet kurrë me historinë”, tha Gilroy për Rolling Stone. “Gjatë 15 viteve të fundit, kam lexuar vetëm literaturë historike”. Ai shtoi se Stalini i ri ishte “një libër i jashtëzakonshëm” dhe se përshkrimi i grabitjes së bankës në Tiflis ishte “një skenë e pabesueshme filmike”.
A e mendoi ndonjëherë Sebag Montefiore, gjatë kërkimeve për librin, që po përgatiste një ambient të përsosur për një serial të Luftës së Yjeve? “Jo, kurrë s’e kam menduar një gjë të tillë ndërsa punoja në arkivat në Moskë dhe Tbilisi”, i tha ai BBC-së. “Por, mendova se kishte diçka thelbësore në jetën e Stalinit, sidomos para vitit 1917. Ishte një histori magjepsëse, pjesërisht sepse askush nuk e njihte”.
Grabitja në Tiflis u raportua në mbarë botën dhe financoi lëvizjen revolucionare për vite me radhë, thotë Montefiore. “Lenini dhe i gjithë Partia Bolshevike jetuan me ato para deri në revolucionin e vitit 1917”.

Sebag Montefiore thotë se Stalini i ri dhe Kasian Andori, ky personazh i trazuar, kanë ngjashmëri të habitshme: “Një i ri që vjen nga askundi, me një ideologji revolucionare dhe në përballje me një perandori të madhe”, thotë ai. “Mendova se kishte diçka shumë interesante në jetën e fshehtë të dikujt në një situatë të tillë. Dhe, pikërisht kjo është ajo ku Tony Gilroy është përqendruar tek Andori”.
Sigurisht, Stalini nuk ishte i vetmi që shkaktonte trazira në Rusi gjatë periudhës cariste, dhe Andori pasuron karakteret e tjera me elemente të marra nga bashkëkohësit e të riut gjeorgjian. Ndër bashkëpunëtorët e Andorit në grabitjen e Aldanit është Karis Nemiku (Alex Lawther), një idealist që shkruan një manifest për rezistencën në zhvillim - ngjashëm me pamfletet e Lev Trotskyt, që doli si zë i fuqishëm kundër dekadencës së perandorisë së dinastisë Romanov.
Personazhi i Stellan Skarsgårdit, Luten Reli, është një paralelizëm me Vladimir Leninin, udhëheqësin bolshevik që arriti të krijojë një lëvizje të fuqishme nga bashkëpunëtorë të pazakontë. Si një koleksionist i pasur arti, sjelljet e matura të Lutenit përpara klientëve të tij të pasur maskojnë një urrejtje të pamëshirshme për perandorinë dhe një dëshirë të pandalshme për të financuar një rezistencë në rritje. Te hajduti i talentuar dhe i heshtur Kasian, ai sheh një mjet të dobishëm - njësoj si Lenini te Stalini. “Në vitin 1911, njerëzit i thoshin Leninit: ‘Pse po e përdor këtë njeri? Është një gangster. Ka vrarë njerëz. Ka marrë pjesë në grabitje bankash’”, thotë Sebag Montefiore. “Dhe, Lenini u përgjigj: ‘Është pikërisht tipi që na duhet’. Stalini mund të redaktonte një gazetë. Mund të shkruante dhe të lexonte. Dhe, ishte gjithashtu dikush që mund të organizonte një atentat apo një grabitje banke. Kjo ishte ajo që Lenini ka theksuar: disa pinin çaj, të tjerët ishin kodoshë - Stalini dinte t’i bënte të dy këto. Dhe, për këtë arsye, në fund Stalini fitoi”.
Kërkimi i thelluar mbi rebelimet historike - Gilroy ka deklaruar se ka studiuar edhe revolucione të tjera gjatë shkrimit të Andorit - padyshim që ka ndihmuar në krijimin e ndjesisë realiste të serialit. Andori ndjehet më tokësor se çdo gjë tjetër që universi i Luftës së Yjeve ka ofruar deri më sot - nëse nuk llogarisim ndonjë anije kozmike që kalon vrullshëm sipër ose ndonjë jashtëtokësor që rri në ndonjë bar lokal. Ka pasqyrime të detajeve të zakonshme tokësore që rrallëherë shihen në realizimet e mëdha të fantashkencës. Njerëzit ankohen që shtëpia e nënës së Andorit, Marva (Fiona Shaw), është gjithmonë shumë e ftohtë. Zyrtari i sigurisë, Siril Karni (Kyle Soller), ka një karakter ngacmues që shkon deri te përshtatja e uniformës për t’u dukur më i zgjuar se kolegët e tij. Byroja Perandorake e Sigurisë, që përpiqet të zhdukë rebelimin që po lind, është një fole ambiciesh konkurruese që duket po aq reale sa çdo dramë historike - ose si një zyre e zakonshme politike. Ka më pak njësi speciale [Stormtroopers] me armë laser sesa filmat e Luftës së Yjeve dhe më shumë oficerë sadistë me pardesy të gjatë, që do të zinin vend në radhët e policisë sekrete cariste, Okrana, ose zëvendësueses së saj sovjetike, Çeka.
“Në të kaluarën, filmat e Luftës së Yjeve na fusnin drejtpërdrejt në një moment shumë të madh”, thotë Walter Marsh, autor australian që e vlerësoi botëkuptimin e Andorit në ditoren The Guardian, në vitin 2022. “Kishte beteja kulmore, apo ndonjë udhëtim heroik të Luk Skajuokerit, dhe gjithmonë me ato tema të mëdha të së mirës kundër së keqes. Por, siç do t’ju thotë çdo historian, luftërat, perandoritë dhe revolucionet nuk nisin e mbarojnë brenda natës - gjithmonë ka një histori më të gjatë në prapaskenë. Një bisht i gjatë, në një farë mënyre. Duhen vite të tëra që kalbëzimi kolonial dhe sistemet e kontrollit të marrin formë”.
Andori paraqet korrupsionin dhe arrogancën e dhunshme që ndodhet në çdo shtresë të regjimeve autokratike: rojet që pinë në një bordello kur supozohet të jenë në detyrë (dhe janë të gatshëm të shantazhojnë secilin që nuk kanë pamjen që atyre u pëlqen); sistemi i burgjeve që kërkon vazhdimisht të mbushet me të burgosur të rinj, edhe nëse ata nuk kanë bërë asgjë gabim; sabotimi i heshtur i pelegrinazheve etnike drejt tokave të shenjta që tashmë janë caktuar për ndonjë aktivitet perandorak. Dhe, me autoritarizmin që po ngrihet sërish në mbarë botën, Andori ka po aq për të thënë për botën e sotme sa për kohën e Stalinit.
“Kur doli seriali, u befasova për mirë që pashë një histori në atë univers që ishte i njohur, por që gjithashtu i qasej çështjes së perandorisë - një temë qendrore për të gjithë sagën - në një mënyrë shumë më të nuancuar dhe të udhëhequr nga karakteret njerëzore”, thotë Marsh për BBC-në. “Është shumë mirë të kesh një Lord Sit të errët që arrin dominimin universal. Por, si shfaqet pushteti në nivelin e rrugës, nga një njeri te tjetri”?

“Perandoria është një makineri gjigante e bluarjes, e pamëshirshme dhe e pavetëdijshme, por njëkohësisht është edhe diçka shumë njerëzore”, vijon Walter Marsh. “Kush janë ata njerëz që gjejnë vend aty dhe lulëzojnë brenda këtyre sistemeve”? Ai vëren se në filmat origjinalë të Luftës së Yjeve, oficerët perandorakë ishin më tepër si karikatura të padukshme të së keqes: “Britanikë në kostume që mbyten nga Dart Vaderi në një moment të caktuar, teksa luajnë me disa butona në sfond”.
Fuqia e Andorit qëndron te “strukturat me tri episode, që na tregojnë llojin e dominimit shoqëror, politik dhe ekonomik që ndërtohet përmes vdekjes së ngadalshme me mijëra prerje të vogla”, thekson Marshi. “E kundërta e kësaj është se shfaq të gjitha mënyrat me të cilat një shtypje e tillë ngjall reagim dhe rezistencë në format nga më të ndryshmet”.
Sezoni i ri, që nis të martën më 22 prill, do të zhvillojë më tej historinë e rebelimit, ndërsa afrohet me ngjarjet që shohim në filmin Mashtruesi-1: skenat e reagimeve brutale nga ana e perandorisë ndaj një demonstrate - të shfaqura në videon promovuese - kujtojnë shtypjen cariste gjatë një marshimi në Shën Petersburg në vitin 1905, një ngjarje që ndezi ngadalë flakët e revolucionit bolshevik.
“Mbledhësi i mbeturinave që shndërrohet në një udhëheqës të zjarrtë revolucionar, është një figurë vërtet interesante”, thotë Sebag Montefiore për karakterin e trazuar të Kasian Andorit. “Është një rrugëtim interesant, sepse pikërisht këtë bëri edhe Stalini. Dhe, do të jetë shumë interesant të shohim se sa thellë do të shkojë Gilroy - sa larg do të arrijë për të ndërtuar një personazh që përmban si tipare heroike ashtu edhe të ligësisë”.
Trilogjia origjinale e George Lucasit e kishte rrënjosur rebelimin në dinamiken klasike të të mirëve kundër të këqijve - të ngjashme me seritë televizive të së shtunës. Rebelët ishin modeluar sipas lëvizjeve antinaziste në Evropën e pushtuar. Por, rebelët e Andorit jetojnë në një realitet shumë më të ndërlikuar; njësoj si lëvizjet e vërteta revolucionare, ata janë shumë më kompleksë sesa zakonisht i shohim në ekran. Luteni, që pasqyron Leninin në Andor, e përmbledh këtë me një qetësi rrëqethëse në një nga skenat më të fuqishme të sezonit të parë: “Jam i dënuar të përdor mjetet e armikut tim për ta mundur atë. Djeg njerëzoren time për të ardhmen e dikujt tjetër. Djeg jetën time për të krijuar një agim të cilin e di se nuk do ta shoh kurrë”.
Siç vëren Sebag Montefiore, vetë revolucionarët e dinin thellë në vetvete se, nëse do të merrnin pushtetin, do të duhej të përdornin shtypjen si mjet - do të bëheshin vetë ajo që dikur përbuznin.
“Vetë Lenini ka thënë: ‘Është i pakuptimtë revolucioni pa skuadra pushkatimi’”. /Telegrafi/



















































