Benfica shënoi të mërkurën mbrëma një fitore të madhe ndaj Real Madridit, duke siguruar kualifikimin në fazën play-off të Ligës së Kampionëve.

Skuadra portugeze ishte në avantazh 3-2, por i nevojitej edhe një gol për të kaluar më tej, pasi Marseille kishte të njëjtin numër pikësh dhe golavarazh, por kishte shënuar më shumë gola dhe renditej më lart në tabelë.


Në një moment historik, portieri Anatoliy Trubin braktisi portën dhe, me një goditje me kokë në minutën e 98-të, i siguroi Benficës një fitore të paharrueshme 4-2, duke shkaktuar festë të madhe në “Da Luz”.


Ky ishte goli i vetëm i portierit ukrainas në këtë edicion të Ligës së Kampionëve, por mjaftoi për ta futur atë në një statistikë sa interesante, aq edhe të pazakontë.

Trubin ka po aq gola në këtë edicion sa emra të njohur të futbollit botëror si Vinicius Jr., Raphinha, Ousmane Dembélé dhe Michael Olise.


Sipas një statistike të publikuar nga LiveScore, Vinicius Jr. dhe Trubin kanë zhvilluar nga tetë ndeshje secili në këtë edicion të Ligës së Kampionëve, me portierin e Benficës që ka qëndruar disa minuta më shumë në fushë, pasi portierët rrallëherë zëvendësohen. Megjithatë, të dy kanë shënuar të njëjtin numër golash.

Kjo situatë, ku një portier ka të njëjtin bilanc golash si disa prej sulmuesve më të paguar dhe më të njohur në botë, është kthyer në temë humori dhe ironie në rrjetet sociale. /Telegrafi/

telegrafi sport app