Analisti i politikave në Institutin GAP, Bekim Salihu, ka paralajmëruar se kryeqyteti po përballet me një ngërç të rëndë financiar, i cili ka hyrë tashmë në muajin e dytë.

Sipas Salihut, kjo situatë ka shkaktuar mos-ekzekutimin e pagesave për disa sektorë kyç, duke përfshirë: KEDS (furnizimi me energji elektrike për objektet publike), Punëtorët e mirëmbajtjes së shkollave, Punëtorët teknikë në shëndetësi dhe mirëmbajtje, Punëtorët e kompanisë “Gjelbërimi”, Pesë ndërmarrje lokale: Ndërmarrja Banesore, Pallati i Rinisë, Kuzhina Qendrore, Kompania “Sport Marketing” dhe Trafiku Urban, Kompanitë private që kanë kryer punë të kontraktuara, përcjell Telegrafi.





Pasojat e krizës përfshijnë ndërprerjen e rrymës për objektet publike, mos-pagimin e stafit të mirëmbajtjes dhe teknike, mos-ofrimin e ngrohjes për shkollat dhe objektet shëndetësore, si dhe ngecjen e pagesave për transportin urban, gjë që rrit rrezikun e padive nga kompanitë private.

Salihu thekson se situata nuk është pasojë e veprimeve të Qeverisë, por mos-miratimit të buxhetit nga Kuvendi Komunal për dy vitet e fundit, duke i atribuar këtë vonesë mospërputhjeve politike mes LDK-së dhe VV-së/PDK-së, që sipas tij kanë ndikuar drejtpërdrejt në paralizimin e funksionimit të komunës dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

“Situata është serioze dhe ka pasoja zinxhirore për funksionimin e komunës. Mos-përmbushja e obligimeve financiare ka goditur shërbimet publike dhe qytetarët, duke rritur nevojën për veprime urgjente nga ana e institucioneve lokale", ka deklaruar Salihu. /Telegrafi/