Lufta me pandeminë, vaksinimi i qytetarëve në periudhën e afërt dhe rimëkëmbja ekonomike po mbizotërojnë fushatën zgjedhore në Kosovë. Pritshmëritë e analistëve politike nga këto zgjedhje janë të vogla.

Partitë politike në Kosovë po shpalosin tek qytetarët programet e tyre për zgjedhjet e parakohshme më 14 shkurt. Lufta me pandeminë, vaksinimi i qytetarëve në periudhën e afërt, ndonëse në Kosovë akoma nuk ka asnjë vaksinë ndaj COVID-19 dhe rimëkëmbja ekonomike po mbizotërojnë fushatën zgjedhore pothuaj të të gjitha subjekteve politike që konkurrojnë në këto zgjedhje.

Nuk po mungojnë as akuzat dhe kundër-akuzat mes partive dhe kjo klimë e nxehtë paraelektorale për njohësit e zhvillimeve politike nuk është aspak e mirë.

Klimë e ashpër parazgjedhore

Blerim Burjani analist politik i tha DW-së, se nuk është e mirë klima që po e karakterizon këtë fushatë: “Tendencat e zhvillimit politik të shoqëruar me ashpërsi politike, janë karakteristikë jo e dëshiruar për një shtet të ri demokratik siç është Kosova. Mbledhja e mllefit dhe lufta politike do të dëmtojë interesat e qytetarëve. Kosova nuk po shpëton prej dramacitetit të tepruar politik dhe mbledhjes së emocioneve e shkarkimit të tyre mes vetë partive politike. Pra, kush është shpëtimtari apo kush i keqi po e karakterizojnë këtë fillim fushate zgjedhore”, thotë Blerim Burjani.

Sipas tij, pritshmëritë nga këto zgjedhje janë të vogla, sepse “kemi një klasë politike tash e shumë vite”.

“Pritshmëria ime nuk është pozitive edhe pas përfundimit të këtyre zgjedhjeve, për shkak se qeveritë gjithmonë formohen me dy tre partnerë qeverisës dhe secila mbron interesat e veta të përfitimit prej votës së qytetarëve, dhe kurrë nuk kanë arritur të bëjnë harmonizimin e një programi qeverisës me shtylla të forta për ndryshimin e jetës ekonomike, sociale dhe shëndetësore që burojnë nga interesat e gjera të qytetarëve”, thotë Blerim Burjani.

Ekonomia prioritet – pasojat e pandemisë të mëdha

Edhe një analist tjetër politik Arton Demhasaj, tha se nuk ka pritshmëri të mëdha nga qeveria e ardhshme cilado qoftë ajo, por megjithatë ai thotë se prioritetet e qeverisë së ardhshme tashmë dihen.

“Eshtë urgjente që qeveria e ardhshme të merret menjëherë me rimëkëmbjen e ekonomike, sepse pasojat e pandemisë janë shumë të mëdha në bizneset kosovare. Çështje tjetër është që qeveria e ardhshme të angazhohet maksimalisht me edukimin dhe shëndetësinë. Çështja tjetër drejtësia dhe sundimi i ligjit ku pritet të ketë një proces të vetingut për gjyqtarë dhe prokurorë është proces po ashtu i pashmangshëm”, thotë Demhasaj.

Dialogu me Serbinë – sfidë për qeverinë e re

Dialogu me Serbinë është sfida tjetër me të cilën do të përballet cilado qeveri, thotë Demhasaj. “Duke marrë parasysh që dy qeveritë e fundit kanë rënë për shkak të dialogut me Serbinë dhe pikërisht çështja me të cilën duhet të merret qeveria e ardhshme është dialogu dhe përmbyllja e tij me një marrëveshje me Serbinë dhe njëherë e përgjithmonë të mbyllet kjo çështje që do t’i hapte rrugë anëtarësimit në strukturat euroatlantike dhe organizata ndërkombëtare”, thotë Demhasaj.

I ngarkuari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Mirosllav Lajçak, këtë javë (04.02) shpalosi planet e tij para përfaqësuesve të shteteve të Evropës lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, por, detajet nuk i bëri të ditura. Kështu shkroi ai në twitter. “Sot i informova ambasadorët e Bashkimit Evropian dhe delegatët e rajonit perëndimor të Ballkanit për vitin tim të parë dhe punën e bërë. Gjithashtu, i kam shpalosur planet e mia për javët dhe muajt në vazhdim. Jam shumë i inkurajuar nga mbështetja e fortë nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së”, shkroi Lajçak në Twitter.

Stabiliteti i qeverisë dhe përkrahja – jetik për efektivitetin e dialogut

Analisti Blerim Burjani, e sheh të vështirë dialogun me Serbinë pa një qeveri stabile në Kosovë.

“Dialogu me Serbinë nuk mund të zhvillohet pa një qeveri stabile, funksionale dhe me fuqi përkrahëse në Kuvend, pra ky është kusht për të pasur negociata me një rezultat efektiv dhe zbatues të ndonjë marrëveshjeje të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Tash duket se Kosova sërish ka nevojë për asistencë  ndërkombëtare në krijimin e  një qeverie funksionale dhe që nuk bie para se të arrihet ndonjë marrëveshje me Serbinë. Duke parë zhvillimet në vend nuk është shumë premtuese se do të ketë një qeveri stabile”, thotë Burjani.

Sipas tij, në Kosovë ka subjekte politike që nuk i rezistojnë aspak presionit të bashkësisë ndërkombëtare, ndërsa, ka të tjera që nuk kanë zgjidhje, por vetëm bllokojnë procese. Prandaj në këtë linjë ai thotë se “tash duhet të kërkohet një koalicion kreativ, i përgatitur shumë mirë dhe jashtëzakonisht të jetë aktiv me ide në dialog në mënyrë që të nxirret më e mira për Kosovën.

Gara e kandidatëve

Partitë kryesore që garojnë në këto zgjedhje, tashmë kanë nxjerrë në garë emrat e atyre që synojnë postin e kryeministrit, i cili zgjidhet me votat e deputetëve në parlament pas zgjedhjeve. Lëvizja Vetëvendosja ka kandidatin e saj Albin Kurti, i cili megjithatë në këto zgjedhje nuk mund të konkurojë në listën zgjedhore për shkak që KQZ-ja nuk e certifikoi atë për shkak të problemeve me ligjin.

LDK ka në garë për kryeministër kandidatin Avdullah Hoti, kryeministër aktual në detyrë. Kandidati i PDK-së për kryeministër është Enver Hoxhaj, i cili tashmë e drejton partinë, pas dorëheqjes së Kadri Veselit, që po përballet në Gjykatën Speciale me akuzat për krime lufte. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, iu bashkua listës Vetëvendosja dhe synon postin e presidentes. Të njëjtin post e synon edhe Ramush Haradinaj. Sfida e parë e parlamentit të ri do të jetë zgjedhja e presidentit, i cili më pas duhet të propozojë formimin e qeverisë së re. Për zgjedhjen e presidentit nevojitet prania në seancë plenare e dy të tretave të deputetëve dhe nëse kjo nuk mund të arrihet në  tre raunde, atëherë vendi sërish shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme. /dw/