LAJMI I FUNDIT:

Analistët: Dështimi i kërkim përgjegjësisë ndaj Ivanovit, nxin imazhin e vendit

Iniciativa për kërkim përgjegjësi ndaj presidentit Gjorge Ivanov, përkatësisht dështimi i saj që në fillim, përbën imazh negativ për Maqedoninë para faktorit ndërkombëtar. Kështu vlerëson për Alsat-M analisti Agim Jonuz, madje ai thotë se ndërkombëtarët e kanë të qartë dhe e dinë mirë se ku shpijnë Maqedoninë gafat e presidentit Ivanov.

“Mbrojta jo vetëm e gafave të Ivanovit por e gjithë asaj që ai në publik e plason është fytyra e vërtetë e OBRM-PDUKM dhe e një mase të tërë që qëndron si trup votues pas tij. Çdo individ publik i cili flet në emër të Maqedonisë, me gafe siç Ivanovi deri më tani i ka plasuar, moti kohë do të ishin histori në shoqëritë e civilizuara, mendojë do të bëheshin ish politikan, ishe deputet por edhe pse jo ish president shteti”, ka thënë Agim Jonuz, analist.


Ndërkohë analisti Albert Musliu vlerëson se durimi i ndërkombëtarëve, ndaj fenomenit Ivanov mund të jetë nga fundi por jo vetëm ndaj tij por edhe ndaj veprimeve të fundit të partisë që nominoi atë për president.

“Para ndërkombëtarëve fotografia është më e qartë, për një jo seriozitet total institucional të partisë më të madhe në pushtet, por kjo është vetëm edhe një pikë e cila i shtohet gotës që është duke u përmbushur. Është shumë e qartë se ne po ballafaqohemi me një sistem dhe me një qark të mbyllur ku ka tendencë që çdo gjë bëhet edhe të amnistohet d.m.th kjo ka qenë qëllimi i gjithë këtij sistemi”, është shprehur analisti Albert Musliu.

Reagimet e analistëve vijnë si shkak i debatit aktual që po zhvillohet mbi kërkim përgjegjësi ndaj Ivanovit në Kuvend. Opozita e kërkoi kërkim përgjegjësinë si rezultat i faljeve që ndau presidenti për 56 funksionar dhe politikan të dyshuar nga Prokuroria Speciale, akt ky i cili u vlerësuar negativisht edhe nga faktori ndërkombëtar./Telegrafi/