LAJMI I FUNDIT:

Analistët: Agresioni rus në Ukrainë pritet ta përshpejtojë marrëveshjen finale Kosovë-Serbi

Analistët: Agresioni rus në Ukrainë pritet ta përshpejtojë marrëveshjen finale Kosovë-Serbi

Agresioni rus në Ukrainë, që ka filluar tash e mbi dy muaj, pritet të përshpejtojë arritjen e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë, thonë njohësit e çështjeve politike në vend. Sipas tyre, bota perëndimore e ka kthyer vëmendjen nga Ballkani Perëndimor për shkak të rrezikut që i kanoset nga Rusia, ndaj thonë se edhe Qeveria e Kosovës duhet të marrë më seriozisht çështjen e dialogut.

Javën e ardhshme (më 4 maj) kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të pres në Berlin, në takime të ndara, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Po atë ditë, në Berlin me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq do të zhvillojë bisedime edhe i dërguari i posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Analisti politik, Dritëro Arifi,thotë se ky takim është i nivelit të lartë dhe në të pritet të diskutohen tema të nxehta.

Ai në një prononcim për Telegrafin tha se takimi i 4 majit është i një rëndësie të jashtëzakonshme pasi tregon se “Gjermania ka filluar t’i marrë gjërat më seriozisht”.

“Lufta në Ukrainë do ta përshpejtojë formën e dialogut dhe me siguri se do të riformatizohet ky proces. Pra, mund të kyçen edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me presion shumë të madh që i tërheq palët në dialog, që unë besoj se të dyja palët duhet të bëjnë kompromis, në mënyrë që dialogu të marrë fund me njohje reciproke”, deklaroi Arifi.

“Pritet të shihet se çfarë presioni do t’i bëjë BE-ja Serbisë, pasi SHBA-ja vetëm se ka filluar lëvizjet e para më serioze ndaj dialogut, që ta shohin se a munden për një kohë të shkurtër të gjejnë një zgjidhje. SHBA-ja dhe BE-ja nuk janë të gatshme që edhe njëherë të ndërhyjnë luftarakisht diku, ndaj po dëshirojnë ta përfundojnë konfliktin [e hapur] në mënyrën më të mirë të mundshme”, shtoi ai.

Dritëro Arifi 

Lajm të mirë angazhimin e Gjermanisë në procesin e dialogut e konsideron edhe analistja Shqipe Pantina.

Sipas saj, edhe ky takim në Berlin, por edhe të tjerët që janë zhvilluar apo pritet të zhvillohen, çojnë në drejtimin e arritjes së marrëveshjes finale.

“Shpresoj që qeveria jonë dhe kryeministri e kanë kuptuar se dialogu, gjegjësisht përmbyllja e konfliktit me Serbinë, duhet të jetë prioritet i parë. Lufta në Ukrainë ka bërë që të ketë ndryshim në qasjen e politikës evropiane, por për fatin tonë të mirë ka interes të shtuar të qeverisë amerikane për dialogun, sepse me herët ka qenë vetëm mbështetëse e BE-së për këtë proces, pra nuk ka pasur rol prirës. Presioni nga zyrtarë të BE-së dhe shteteve të fuqishme si Franca dhe Gjermania, do të rritet dhe është koha që qeveria jonë ta merr më seriozisht dialogun”, tha Pantina për Telegrafin.

Kancelari gjerman Scholz, më 4 maj në Berlin pret Kurtin, Vuçiqin dhe Lajçakun
Lexo po ashtu Kancelari gjerman Scholz, më 4 maj në Berlin pret Kurtin, Vuçiqin dhe Lajçakun

Mes tjerash, ajo pohoi se kryeministri Kurti por as presidentja Vjosa Osmani nuk kanë pasur asnjë takim me zyrtarë të lartë amerikanë dhe ky siç tha ajo, është mesazh që dialogun duhet ta marrin më seriozisht.

“Bota perëndimore e kanë kthyer vëmendjen edhe nga Ballkani për shkak të rrezikut që i kanoset nga Rusia, ata duan ta shkëpusin Serbinë nga ndikimi i Rusisë. Shembulli i Ukrainës ka treguar se konfliktet e hapura mund të prodhojnë luftë re në Ballkan, për të cilën askush nuk është e interesuar, e më së paku ne që e dijmë se cka është lufta”.

E rëndësishme, sipas saj, është që të ruhet sovraniteti territorial dhe integriteti i Republikës së Kosovës dhe “për këtë është dhënë garanci”.

Shqipe Pantina

Se për shkak të luftës në Ukrainë pritet të ketë përshpejtim më të theksuar në vendosjen e pikave kryesore të marrëveshjes finale mes dy vendeve e thotë edhe analisti tjetër politik, Gazmir Raci.

Ndërsa, për ftesën e kancelarit gjerman për takimin në Berlin, Raci tha se është vazhdimësi e angazhimit direkt të Gjermanisë në zgjedhjen e problemit Kosovë-Serbi.

“Pres angazhim më të shtuar edhe të presidentit Macron pas rizgjedhjes së tij. Pres që dialogu të bartet tani në Bruksel, aty ku edhe ka filluar dhe natyrisht tani për shkak të invazionit rus në Ukrainë gjërat kanë ndryshuar dhe Kosova duhet të jetë më e kujdesshme në qasjen ndaj kësaj çështje”, deklaroi ai për Telegrafin.

Gazmir Raci

I pyetur se në cilat pika Kosova nuk duhet asnjëherë të “lëshojë pe” karshi Serbisë tha se “nuk duhet as të diskutohet sistemi unitar i shtetit të Kosovës, pra rendi kushtetues dhe niveli i qeverisjes nuk duhet të preken sepse e defunksionalizon shtetin dhe e bën të dështuar”.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u takuan për herë të parë më 15 qershor të vitit 2021 në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Takimi i dytë ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit ndodhi më 7 korrik 2021 dhe që atëherë nuk ka pasur takime të reja në nivel të lartë. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
E mohoi në Kuvendin e Serbisë, por Goran Rakiq ishte betuar si ministër në Kuvendin e Kosovës

E mohoi në Kuvendin e Serbisë, por Goran Rakiq ishte betuar si ministër në Kuvendin e Kosovës

Lajme
Votimi i Malit të Zi kundër Kosovës në KiE, Gjeloshaj: Qëndrimin tonë do ta japim kur të votohet në Këshillin e Ministrave

Votimi i Malit të Zi kundër Kosovës në KiE, Gjeloshaj: Qëndrimin tonë do ta japim kur të votohet në Këshillin e Ministrave

Lajme
Si do të mund t'i drejtohen kosovarët Gjykatës së Strasburgut?

Si do të mund t'i drejtohen kosovarët Gjykatës së Strasburgut?

Drejtësi
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
PDK voton kryesinë e re - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

PDK voton kryesinë e re - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

Lajme
Kalo në kategori