Please enter at least 3 characters.

Qëndrueshmëria befasuese ekonomike e Izraelit

Ilustrim

Nga: Nimrod Sapir / The Wall Street Journal

Do të prisnit që ekonomia izraelite të ishte në prag të kolapsit. Prej gati dy vjetësh, shteti hebre është i përfshirë në konflikt në shtatë fronte. Megjithatë, ekonomia e tij ka sfiduar pritshmëritë dhe ka treguar qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. Kjo është një nga arsyet se pse Izraeli ka qenë në gjendje të vazhdojë luftën.

Kjo qëndrueshmëri buron nga baza të shëndosha ekonomike: raporti borxh-PBB prej rreth 60 për qind në fillim të konfliktit, një normë papunësie me rreth tre për qind dhe një deficit buxhetor relativisht i ulët. Për gati dy vjet në një luftë shumëfrontëshe, këta tregues mbeten të fortë, me vetëm një rritje modeste të borxhit. Bursa e Tel-Avivit është ndër tregjet me performancë më të mirë në botë dhe indekset TA-125 dhe TA-35 janë rritur me mbi 28 për qind, deri tani, në këtë vit, duke tejkaluar ndjeshëm S&P 500-shin, Nikkei-n dhe shumicën e bursave të tjera botërore.

Për tri dekada, sektori i teknologjisë së lartë në Izrael ka qenë motori i rritjes - dhe vazhdon të jetë i tillë. Edhe teksa qytetarët fshiheshin nga zjarri i raketave, industria e teknologjisë në Izrael arriti marrëveshje mbresëlënëse bashkimi dhe blerjeje. Shitjet e kompanive Wiz dhe CyberArk, me vlera në dhjetëra miliarda dollarë, pasqyrojnë besimin e investitorëve ndërkombëtarë. Turizmi ka rënë, por eksportet mbeten të qëndrueshme, dhe konsumi privat vendas vazhdon të nxisë një performancë më të mirë seç pritej të PBB-së, me Bankën e Izraelit që parashikon një rritje prej 3.3 për qind këtë vit.

Demografia e përforcon më tej perspektivën e Izraelit: një forcë pune në rritje dhe e re në moshë. Izraeli ka normën më të lartë të rritjes së popullsisë ndër vendet e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), dhe kjo rritje nuk kufizohet vetëm te sektori haredi apo arab. Kërkesa në rritje globale për sistemet mbrojtëse izraelite, gjithashtu forcon bazën e eksporteve dhe hap tregje të reja.

Arritjet ushtarake të Izraelit - veçanërisht në neutralizimin e ambicieve bërthamore të Iranit dhe zvogëlimin e kërcënimeve nga përfaqësuesit e tij - po riformësojnë peizazhin gjeopolitik. Për herë të parë pas disa dekadash, investitorët mund të presin një ulje graduale të rreziqeve gjeopolitike që kanë rënduar prej kohësh mbi potencialin ekonomik të Izraelit.

Tregjet financiare tashmë pasqyrojnë këtë ndryshim. Diferencat e këmbimeve të kreditit [credit default swaps], të cilat kanë qenë të larta për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme rajonale, janë në rënie. Priten ulje të mëtejshme, si dhe rënie të korresponduara të interesave të obligacioneve qeveritare 10-vjeçare të Izraelit. Me qetësimin e tensioneve, flukset e kapitalit të huaj janë përshpejtuar dhe ka gjasa të vazhdojnë të nxisin rritje në inovacion, konsum dhe eksporte.

Lufta me të cilën përballet Izraeli iu imponua atij. Askush në Izrael nuk e dëshironte një konflikt të tillë, dhe ndikimi i tij mbi rezervistët, familjet dhe komunitetet ka qenë i thellë.

Izraelitët janë të bashkuar në dëshirën për përfundimin e luftës me lirimin e të gjithë pengjeve dhe për paqe e siguri në gjithë rajonin.

Qëndrueshmëria ekonomike e vendit nuk duhet t’i atribuohet indiferencës, por vendosmërisë përballë vështirësive - dhe një potenciali të jashtëzakonshëm për rritje.

Investitorët do të bënin mirë të njohin se e ardhmja e Izraelit është e ndritur dhe se vitet në vijim mund të shpalosen si një nga tregimet më premtuese ekonomike në skenën globale.

(Autori është CEO i Shoqatës së Shtëpive të Investimeve në Izrael dhe ish-shef kabineti i ministrit izraelit të Financave)

true